Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy kantiere ndërtimi në komunat e Prizrenit dhe Suharekës, pas konstatimit të shkeljeve të rënda të legjislacionit që rrezikonin sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.Sipas njoftimit, inspektimet janë zhvilluar në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, si dhe të sigurisë dhe shëndetit në punë. Gjatë kontrolleve, inspektorët kanë evidentuar parregullsi të rënda, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Për këtë arsye, është marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në të dy kantieret, deri në eliminimin e plotë të mangësive të konstatuara.Sipas Inspektoratit, subjektet e inspektuara janë obliguar të korrigjojnë të gjitha parregullsitë, ndërsa rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të verifikojnë se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë.Inspektorati Qendror i Punës theksoi se këto masa kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për punëtorët.Po ashtu, institucioni njoftoi se do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Kosovës, duke ndërmarrë masa ndaj çdo subjekti që cenon sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.Në fund, Inspektorati u bëri thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me përpikëri dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, duke theksuar se mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet. /Telegrafi/

