Qytetarët shqiptarë po shpenzojnë më shumë para për të blerë po të njëjtën sasi mallrash, që vjet e blinin me më pak lekë. Kjo për shkak se kostot e jetesës po rriten dhe pasojat e luftës në Lindjen e Mesme mund të shoqërohen me inflacionin të lartë deri në 2028-ën. Në korrik thotë INSTAT pasi inflacioni arriti në 3.4%, shifra më e lartë në 2 vite e gjysmë, dhe ushqimet kryesojnë. LEXO edhe... ‘Price Watch’, qeveria premton transparencë për çmimet e ushqimeve, ekspertët kërkojnë mekanizma për uljen e tyre Madje edhe pse në kulmin e sezonit të prodhimit vendas, qytetarët shqiptarë por edhe turistët po konsumojnë më shtrenjtë. Me 10.1% janë rritur çmimet e perimeve dhe bishtajorëve, në kulmin e prodhimit të tyre, duke dëshmuar për shtim të kostove për bujkun shqiptar e për pasojë reflektohet në çmim më të lartë për konsumatorët. Në të njëjtën kohë, një pjesë e nevojave të tregut mbulohet nga importi, duke bërë që çmimet e produkteve ushqimore të ndikohen edhe nga kostot e produkteve të importuara. Më tej me 9.4% janë shtrenjtuar produktet e detit krahasuar me vjet, ndjekur nga rritja me 4.6% e mishit. Për të adresuar problemin e çmimeve të larta por edhe për të rritur transparencën qeveria do të ndërhyjë në treg, jo duke caktuar çmime por duke i pasqyruar ato në një platformë të vetme. Prej këtij muaj, konsumatorët do të kenë mundësi të shohin çmimet e produkteve të shportës në platformën online, “Price watch Albania”. “Dua të sqaroj që ka disa kohë që në Shqipëri ka një shqetësim për nivelin e përgjithshëm të çmimeve. Një shqetësim që dhe ne e ndajmë me qytetarët dhe gjatë kësaj periudhe përveç se kemi mbikëqyr tregun dhe kemi studiuar edhe çfarë po bëjnë vend e tjera të Bashkimit Evropian për të adresuar situatën sa i përket rritjes së nivelit të çmimeve për shportën bazë. Kjo përveçse ndihmon qytetarët në marrjen e vendimeve se ku do t'i bëjnë pazaret dhe ku do t'i bëjnë blerjet e tyre, krijon transparencë dhe ndoshta nxit edhe konkurrencën sa i përket tendencave të shitësve të ndryshëm për çmimin final me të cilin e blen konsumatori”, shprehet Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë. Në emisionin ‘Portofol’ zëvendësministër i Ekonomisë Enkelejd Musabelliu sqaron se kjo platformë do të ketë fillimisht produktet kryesore të shportës, si bulmet, perime apo produkte të paketuara. “Platforma do të pilotohet fillimisht brenda muajit shtator, dhe fillimisht në platformë do të jenë produktet bazë të shportës dhe pastaj me kalimin e kohës, ndërkohë që urat e bashkëpunimit dhe komunikimit me të gjithë shitësit me pakicë janë të vendosura do të fillojë zgjerimi i listës për të përfshirë pastaj një gamë shumë të gjerë produktesh si vendet e tjera të Bashkimit Evropian që kanë mijëra produkte të afishuara aty në platformë”, thotë Musabelliu. Platforma fillimisht përqendrohet te shitësit e mëdhenj. “Në platformë fillimisht do të jenë të regjistruar rrjetet e mëdha të supermarketeve të cilët kanë edhe një formalizim më të madh pastaj në një moment të dytë do të studiohet edhe mënyra se si mund të bëhet që në platformë të dalin edhe njësitë e tjera të shitjes me pakicë, për të cilat duhet të thënë që nuk është shumë e lehtë sepse në bazë të të dhënave janë mbi 25.000 shitës me pakicë që operojnë në Republikën e Shqipërisë”, thotë Musabelliu. Përtej monitorimit të thjeshtë të çmimeve, autoritetet po hetojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit për të identifikuar nëse ka abuzime me çmimet. “Nga ana tjetër ne po studiojmë të gjithë zinxhirin e furnizimit në mënyrë që të kuptojmë, për një produkt vendas nga fabrika e prodhimit apo për një produkt bujqësor, nga ferma bujqësore deri në tavolinën e konsumatorit, cilët janë shoqëritë ose tregtarët përmes të cilëve ky produkt kalon ose dhe për produktet e importit nga dogana deri në tavolinë. Për të parë nësë ka vërtetë rritje të paargumentuar çmimi?”, tha Musabelliu. Ora 19:53 ‘Price Watch’, qeveria premton transparencë për çmimet e ushqimeve, ekspertët kërkojnë mekanizma për uljen e tyre Ideja e publikimit të çmimeve në një nuk bind plotësisht përfaqësuesit e industrisë ushqimore. Sipas Alban Zusit, problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e informacionit për çmimin final në supermarket, por te mungesa e transparencës përgjatë gjithë zinxhirit të tregtimit. Ai sjell si shembull diferencat e mëdha që, sipas tij, krijohen mes çmimit të bujkut dhe atij që paguan konsumatori.“Supermarketet i kanë çmimet aty të afishuara. Nuk kanë asnjë lloj problemi. Nuk shërben për askën kjo bursë. Ajo çfarë qytetarit i mungon është ajo, sa është shalqiri në Lushnje dhe sa e blej unë në Tiranë. Sepse unë e kam parë Shalqirin në Lushnjë 70 lekë të vjetra, ndërkohë që në rrugët e Tiranës shitej me 1.000- 1200 lekë të vjetra. Kjo është bursa. Bursa është tek tregu i Lushnjës, është tek tregu ushqimor këtu, janë të gjitha tregjet e fruta perimeve. Bursa është në katër portet detare ku vihet një tabelë elektronike se sa çmimi i peshkut. Bursa është në të gjitha tregjet e mishit, tregjet kryesore ku vihet në çmimin e bagëtisë së gjallë, dhe njeriu e sheh nga shtëpia”, thotë Alban Zusi Drejtor i shoqatës së industrisë Ushqimore.Edhe eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, e sheh platformën si një hap pozitiv, por ngre pikëpyetje për atë që do të ndodhë pas publikimit të çmimeve.“Dakord u krijua kjo platformë, por cfarë mekanizmash të tjera do vijnë në funksion të saj dhe a do të funksionojnë? Sepse ne nuk vuajmë për ligje por për zbatim. Shumë mirë që po bëhet platforma. Shumë mirë që po madje të popullohet me sa më shumë, do sugjeroja të shtoheshin dhe këto tregjet e frutave të perimeve që janë nëpër qytet kryesore. Po pastaj çfarë do të bëhet? Pra çfarë do të kemi ne si efekt që unë si konsumator të shikoj vërtet një çmim më të vogël”, thotë eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa. Share Ora 19:51 Pse rriten çmimet e perimeve? Ekspertët në ‘Portofol’: Fermerët u përmbytën, u lanë në baltë, bujqësia pa mbështetje Shtrenjtimi i perimeve edhe në kulmin e prodhimit sipas ekspertëve ka një sërë faktorësh. Drejtori i Shoqatës së Industrisë Ushqimore, Alban Zusi, rendit si një nga shkaqet e rritjes së çmimeve pasojat e përmbytjeve të janarit dhe shkurtit, duke argumentuar se mungesa e kompensimit në kohë për fermerët ka ndikuar në rikthimin e prodhimit.“Arsyeja e parë e rritjes së çmimeve lidhet me përmbytjet që kanë ndodhur në janarin dhe shkurtin e kaluar. Përgjigja për të kompensuar fermerët dhe për t'ju dhënë paratë, për t'i rikthyer në punë ato njerëz nuk erdhi, dhe nuk e di kur do ju shkojë kompensimi. Së dyti ne nuk ju përgjigjëm siç u përgjigjën shumë vende të tjera evropiane krizës që po sillte Lufta në Lindjen e Mesme, që ulën bazën e Taksimit. Ne e mbajtëm të njëjtë, pra praktikisht qeveria jonë u bë aleate në çmimin e lartë. Faktori tjetër është kursi i këmbimit, që vetëm me këtë vit ka ndikuar në 6% në rritjen e çmimeve”, tha Alban Zusi Drejtor i shoqatës së industrisë Ushqimore.Ndërsa eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, thotë se rol në rritjen e çmimeve ka edhe rënia e bujqësisë me gati 10% në dekadën e fundit, ndërkohë që është favorizuar importi.“Bujqësia si përqindje e prodhimit në Shqipëri bruto në 10 vitet e fundit ka rënë nga rreth 26% që ishte para 10 vitesh, në pak më shumë se 15%. Është një drastike për një 10 vjeçar, është për një sektor i cili është bazë për një ekonomi. Të bjerë në këtë lloj ritmesh, ndërkohë që sektori tjetër që rritet është një sektor i ndërlidhur me bujqësinë, sepse ato turistë ushqehen dhe do të ishte udhës që rritja e turizmit të rriste edhe fermat që prodhojnë. Nuk ka ndodhur kjo, sepse e kemi disfavorizuar nga prodhimin vendas, kemi favorizuar importin”, tha Ergis Sefa Ekspert për Ekonominë. Share Ora 19:49 Kriza e çmimeve/ Tjetër indeksim për pensionet, zv.ministri: Po analizohet një paketë mbështetëse Jo vetëm çmimet e ushqimeve por edhe karburanti është rikthyer përsëri në nivele të larta dhe po shitet deri 220 lekë për litër. Ndërkohë që aktualisht në vend nuk ka masa subvencionuese në fuqi pasi prej qershorit është shfuqizuar bordi i transparencës, u hoq edhe lehtësia në taksa, ka përfunduar subvencioni për kompanitë e transportit. Ndërsa në korrik u bë indeksimi i pensioneve me 2.7%.Por zëvendësministri Enkelejd Musabelliu thotë në Report TV, krahas platformës së çmimeve po analizohet edhe një paketë sociale me indeksime dhe bonuse për ata më në nevojë.“Për sa i përket paketave mbështetëse, për shkak të nivelit shumë të lartë të çmimeve dhe me radhë, patjetër që mund të ketë indeksime të të transfertave sociale, mund të ketë bonuse për transfertet sociale, janë të gjitha opsionet që janë në tavolinë dhe janë duke u analizuar. Transfertet sociale përfshijnë të gjithë por kryesisht shqetësimi kryesor patjetër që janë pensionistët, ne duhet të kemi parasysh që janë disa skema kompensimi për pensionistët që janë prej vitesh tashmë në Shqipëri, por patjetër që këto paketa edhe mund të preken për të bërë një adresim më të mirë të nevojave të këtyre shtesave”, tha Musabelliu. Share U.D/ReportTv.al Instat cmimet e ushqimeve Price Watch Albania Enkelejd Musabelliu Komento Komente Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 74.9% Të gabuar 20.9% Nuk e di 4.2% Vota total: 2951 Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?

