Lajme Zone
Industria ushtarake e Edi Ramës, si pol i ri oligarkie
PolitikëPamfleti

Industria ushtarake e Edi Ramës, si pol i ri oligarkie

Kjo industri ushtarake që ka ngritur Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një pol ekonomik që nuk ka si shtyllë bazike të saj shtetin shqiptar.

Industria Ushtarake / Industria ushtarake e Edi Ramës, një PPP e fshehur me kontrata pa garë; 'Kayo', zyrë e kryeministrit... Edi Rama prezantoi me bujë se Shqipëria po ngre një industri të sajën ushtarake, e cila do të jetë në gjendje të prodhojë për nevojat e veta dhe të eksportojë.

Kjo industri ushtarake që ka ngritur Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një pol ekonomik që nuk ka si shtyllë bazike të saj shtetin shqiptar.

Përkundrazi, që në rrënjë, ringritja e industrisë ushtarake është konceptuar si në formën juridike, por edhe praktike, si një PPP e re, por kësaj radhe e fshehur.

Nëse në fillim të ardhjes së tij në pushtet, Edi Rama u dha ofertë kompanive private shërbimet jetike shtetërore, nëpërmjet financimit nga buxheti; me industrinë ushtarake, kompanitë private janë pjesë e korporatave të kësaj industrie që do të marrin porosi e kontrata shumë milionëshe.

Në rast se një kompani private e përfshirë në PPP disa vite më parë përfitonte një kontratë për shërbim publik, ajo ishte e ekspozuar sipas ligjit për t'u hetuar tek transparenca dhe ligjshmëria e transaksioneve.

Në rastin aktual të ndërtimit të polit ushtarak të industrisë, shtylla shtetërore është thjesht një parzmore ligjore ndaj kompanive private, që në realitet janë baza e funksionimit të këtyre kontratave që në shumicën e tyre do të jenë publike.

Në vendet europiane, industria ushtarake është e diversifikuar. Vende të fuqishme e me histori të pasur në këtë fushë veprojnë në një partneritet me korporatat e mëdha të kësaj industrie.

Në Gjermani, Rheinmetall, një ekselencë gjermane në fushën e arsenaleve ushtarake, ka punuar me qindra vjet për llogari të shtetit, duke marrë porositë dhe furnizuar arsenalet e duhura. Ky partneritet është rikthyer fuqishëm me planin gjerman për armatimin.

Në Itali, gjërat funksionojnë pak më ndryshe, si pasojë e themelimit të kësaj industrie. Ku pjesën e luanit e kanë korporatat shtetërore, ndërkohë që vijojnë aktivitetin e tyre edhe brandet e njohura të industrisë private.

Në Itali funksionon kompania publike Leonardo, që prodhon arsenal strategjik për ushtrinë, apo Fincantieri, që është një brand botëror në arsenalet e marinave luftarake, e cila prodhon me porosi për gjithë botën.

Nga ana tjetër, ka emra të mëdhenj si "Beretta", prodhuesi mitik i pistoletave dhe pushkëve automatike, që furnizon gjithë botën me armë taktike luftarake, apo edhe "Augusta", ekselenca e helikopterëve, si dhe shumë emra të tjerë.

Por korporatat publike funksionojnë si pasuri e shtetit dhe jo si ‘kënde’ për të përfituar kontraktuesit apo marifetçinjtë botërorë të tregut shumë të majmë të arsenaleve luftarake.

Ndërmarrja publike ushtarake "Kayo" nuk është gjë tjetër veçse një agjenci në varësi të kryeministrit, të cilën nuk e kontrollon askush. Që nga emërimi i një drejtuesi problematik në krye të saj nga Edi Rama, deri te kontratat e dyshimta, të cilat gjithashtu vendosen nga një dorë.

Një kompani publike ushtarake klasike, në asnjë vend ku këto funksionojnë, nuk është një zyrë e kryeministrit. Një kompani publike ushtarake funksionon me një bord, ku edhe zyra e kryeministrit mund të ketë një përfaqësues me rol vëzhguesi, por anëtarët e bordit janë përfaqësues të institucioneve të pavarura, të cilat nuk kanë interes, lidhje apo varësi nga politika e ditës.

Në Itali, drejtuesit e korporatave publike të industrisë ushtarake kontrollohen nga Parlamenti dhe Komandat e Forcave të Armatosura. Vendimet e të cilëve merren kolegjialisht dhe me përgjegjësi ligjore të përcaktuar.

Industria ushtarake që po krijon Edi Rama nuk është klasike, siç ka qenë në kohën e komunizmit, kur Ministria e Mbrojtjes kishte në varësi dhe përgjegjësi për uzinat e fabrikat e prodhimit të materialeve luftarake.

Të gjitha pronat e industrisë luftarake, nga godinat e deri te makineritë e pajisjet, ishin të shtetit, ndaj edhe prodhimi final ishte gjithashtu pronë e ushtrisë shqiptare.

Ndërsa korporatat që po krijon Edi Rama në këtë fushë, vetëm terrenet, godinat, lehtësitë fiskale dhe mburojën ligjore i ka shtetërore. Të gjitha funksionet dhe pasojat që dalin nga këto janë kompani e korporata private, vendase e të huaja.

Kontratat e të cilave vendosen nga një dorë, pa pasur mundësinë e kontrollit publik dhe institucional. Përdorimi i buxheteve të mëdha shtetërore në prodhimin e arsenaleve ushtarake krijon të gjitha gjasat e ngritjes së një poli "devijant" të një oligarkie, e cila do të jetë edhe më e plotfuqishme se oligarkia financiare dhe ekonomike që funksionon në vend.

Siç e tha edhe vetë Edi Rama në prezantimin e makinave taktike ushtarake nga një kompani private në ‘joint venture’ me "Kayo"-n, "nuk do të merremi më me tendera blerjesh".

Kjo sepse nuk ka nevojë më për prokurime, ngaqë të gjitha porositë bëhen me detyrim e përcaktim. Pra, të gjitha kontratat kryhen nga pak duar, që shumë shpejt do të funksionojnë si një lob i ri, me trafiqet e influencës që krijon në politikë, mjedisin ekonomik e financiar, media e kudo./Pamfletiindustria ushtarake pol i ri oligarkik Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Pse shqiptarët nuk besojnë më te kapitalizmi i fasadave? 1 Gusht 2026, 10:5510:55Politike Braçe i del kundër Ramës për hartën e re territoriale: Qytetarët nuk janë dëgjuar 31 Korrik 2026, 20:0120:01Politike Harta e re territoriale i hap telashe Ramës, plasin protestat nga Jugu në Veri 31 Korrik 2026, 18:5118:51Politike "S’kemi interesa personale", eurodeputetja italiane i përgjigjet Ramës: Kemi raportuar problemet në Komisionin Europian! 31 Korrik 2026, 18:0818:08Politike Dhuna ndaj Elton Qynos, një provë për Policinë, Prokurorinë dhe Shtetin 31 Korrik 2026, 15:1015:10Politike Nafta shkon në 214 lekë/litër, Braçe: Të rikthehet Bordi i Transparencës, rritja është e qëllimshme 31 Korrik 2026, 15:0215:02Politike