Nga Vincent Yūsui van Gerven Oei “The Albanian Files”, i cili është shndërruar në një prej publikimeve më të rëndësishme që dokumenton pazaret e bëra në prapaskenë, të cilat kanë karakterizuar bumin e ndërtimeve në Shqipëri, vazhdon të shkaktojë reagime.
Në Shqipëri, si aktivistët, ashtu edhe opozita, e kanë paraqitur librin si provë në kallëzimet penale ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili drejton edhe Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT), pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Arkitektët shqiptarë janë bashkuar gjithashtu në protesta kundër praktikave shfrytëzuese të kompanive ndërkombëtare, duke u organizuar nën emrin “Arkitektët Shqiptarë”. Një nga projektet e tyre ka qenë analizimi i “The Albanian Files”, duke krahasuar informacionet e përfshira në faqet e tij me të dhënat e prokurimeve publike, planet urbanistike ekzistuese, vendimet e KKT-së e të tjera.
Kjo është një punë kërkimore jashtëzakonisht e vlefshme dhe krijon bazën për të dokumentuar përmasat e krimeve të kryera, për të cilat, sipas autorit, tashmë pothuajse askush nuk ka dyshime.
Por këtë herë, trazirat nuk janë më të kufizuara vetëm në Shqipëri.
Për herë të parë pas gati dy dekadash, paratë kriminale, korrupsioni dhe nepotizmi kanë mbërritur sërish në një prej burimeve të magjepsjes së Ramës me arkitektët e famshëm ndërkombëtarë: Holandë.
Reagimet nisën me një artikull të publikuar më 10 korrik në gazetën e përditshme holandeze De Volkskrant, ku trajtohej mënyra se si protestat e “Flamingo Revolution” në Shqipëri ishin kthyer edhe kundër arkitektëve holandezë.
Kjo u pasua më 13 korrik nga një recension i publikuar në portalin holandez të arkitekturës Archined, shkruar nga arkitektet shqiptare Klodiana Millona dhe Dorina Pllumbi, të dyja me aktivitet profesional në Holandë. Ato shqyrtonin prezantimin në Rotterdam të dokumentarit shoqërues “The Albanian Calls”.
Në recensionin e tyre, Millona dhe Pllumbi e lidhin drejtpërdrejt dokumentarin dhe botimin me burimin e zemërimit të shprehur nga mijëra shqiptarë, të cilët kanë protestuar për njëqind net rresht: shkatërrimin e pakontrolluar të peizazheve natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, të financuar nga një fluks në dukje i pakufishëm parash mafioze dhe nga qeveria, të cilën autoret e konsiderojnë thellësisht të korruptuar, të drejtuar nga Rama.
Në përgjigjen e saj ndaj recensionit, redaktorja Anneke Abelakh, e cila ka qenë gjithashtu kuratore e Pavijonit Shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia në vitin 2025, iu rikthye një retorike të paqartë, duke e paraqitur librin si një lloj arkivi që do të kontribuonte në krijimin e narrativave, edhe pse ato ndryshojnë me kalimin e kohës.
Ajo që, sipas autorit, Abelakh injoron është fakti i thjeshtë se “thjesht dokumentimi” i “historisë” në një “arkiv” nuk është një proces automatik dhe neutral, por një proces thellësisht politik.
Sipas tij, gjithçka nis me pyetjen se si Abelakh u bë në të njëjtën kohë kuratore, redaktore libri dhe regjisore dokumentari.
Natyra politike e punës së saj si redaktore, sipas autorit, bëhet veçanërisht e qartë në fund të përgjigjes së saj, ku Abelakh shkruan: “Detyra e një arkivi nuk është të përcaktojë historinë. Është ta bëjë një moment historik mjaftueshëm të kuptueshëm, në mënyrë që ai të vazhdojë të vihet në pikëpyetje, të riinterpretohet dhe të kuptohet nga pozicione të ndryshme, përfshirë edhe ato që nuk ishin të dukshme në momentin kur arkivi u krijua.”
Autori kundërshton këtë duke thënë se “pozicionet e ndryshme” për të cilat flet Abelakh, pra pozicionet kritike ndaj përfshirjes së kompanive ndërkombëtare të arkitekturës në Shqipëri, ishin në fakt të dukshme që në kohën kur ajo përpiloi librin dhe zhvilloi intervistat, nëse do të kishte ditur se ku të kërkonte dhe me kë të fliste.
Sipas tij, këto zëra ishin të padukshëm për Abelakh. Ai shton me ironi se ajo kishte marrë përsipër gjithë këtë punë dokumentuese për një vend që, sipas vetë deklaratave të saj, “e njihte shumë pak”.
Kritikat në Holandë
Më 24 gusht, portali holandez i arkitekturës De Architect publikoi një recension të “The Albanian Files”, shkruar nga historiani i arkitekturës Wouter Vanstiphout, ish-profesor i Urbanistikës në Universitetin Teknik të Delft-it dhe aktualisht i angazhuar me “Independent School for the City”, institucion që kishte organizuar më herët shfaqjen e “The Albanian Calls” në Rotterdam.
Sipas autorit të këtij shkrimi, recensioni i Vanstiphout është një kritikë e drejtpërdrejtë dhe e ashpër ndaj arkitekturës ndërkombëtare, dhe veçanërisht ndaj arkitektëve holandezë të përfshirë në projektet shqiptare.
Për arkitektët që i kanë bërë lavdërime Ramës, Vanstiphout përdor shprehjen: “idiotë të dobishëm”.
Ai argumenton se duhet një lloj i veçantë verbërie që arkitektët, 35 vjet pas rënies së komunizmit, ta paraqesin kaosin korruptiv në të cilin punojnë si “vështirësitë e pashmangshme të rritjes” së një vendi që po përpiqet të shkëputet nga e kaluara dhe, në të njëjtën kohë, ta shohin Edi Ramën si një lider të ndriçuar, pa të cilin vendi nuk do të mund të transformohej.
Sipas autorit, Vanstiphout ka vendosur kështu një vijë të qartë ndarëse: ai është një figurë me një karrierë të gjatë në një prej shkollave më prestigjioze të arkitekturës në Holandë dhe ka marrë pjesë në panele, konferenca dhe seminare me shumë prej arkitektëve të përmendur.
Megjithatë, autori vëren se nga arkitektët ndaj të cilëve Vanstiphout ka drejtuar kritikat e tij nuk ka ardhur pothuajse asnjë reagim.
Përjashtim bën Anneke Abelakh.
Autori thotë se ajo ka marrë përsipër edhe një herë të mbrojë projektin. Ai e konsideron përgjigjen e saj të pamjaftueshme, duke pretenduar se ajo nuk kundërshton asnjë prej argumenteve të Vanstiphout dhe nuk paraqet prova në mbështetje të pozicionit të saj.
Autori e përmbledh me ironi qëndrimin e saj si: “Kritika jote ka një pikë, por mua më pëlqen t’i mbaj gjërat të hapura. Të qenit i hapur është mirë. Po.”
“Ku janë arkitektët?”
Tashmë, sipas autorit, është bërë e qartë se Abelakh nuk mund ta mbrojë e vetme dhe në mënyrë bindëse punën e të gjithë arkitektëve të përfshirë në “The Albanian Files” dhe “The Albanian Calls”.
Prandaj ai ngre pyetjen: “Ku janë ata?” Autori përmend se disa prej tyre tentuan të përfshiheshin në debat gjatë verës.
Martin Sobota nga Cityförster, sipas autorit, i ka dërguar disa email-e gjithnjë e më të shqetësuara dhe madje është përpjekur të bindë ambasadorin holandez në Shqipëri që ta ndalonte autorin.
Ndërkohë, Reinier de Graaf i OMA-s ka shprehur opinionin e tij në “Tirana Times”, duke folur për rëndësinë e satirës në demokraci: “Satira është një kusht themelor i lirisë politike. Pa satirën, demokracia humbet një nga instrumentet e saj më të rëndësishme të vetëkorrigjimit: aftësinë për të qeshur me kontradiktat e veta përpara se ato të shndërrohen në dogmë.” Por autori i kundërpërgjigjet se në Shqipëri nuk mungon aspak satira, duke iu referuar edhe pankartave të protestuesve para Kryeministrisë.
Sipas tij, ajo që nuk është aspak për të qeshur është pozicioni i De Graaf si arkitekt që punon me kontraktorë të cilët, sipas autorit, janë të përfshirë në skema të mëdha pastrimi parash.
Ai pyet nëse kjo është vërtet pozita nga e cila De Graaf mund t’u mësojë shqiptarëve për satirën dhe rëndësinë e saj për demokracinë.
Arkitektët e tjerë
Autori përmend më tej emra të njohur të arkitekturës ndërkombëtare, si Winy Maas, Bjarke Ingels, Stefano Boeri dhe Sam Chermayeff.
Ai argumenton se këta arkitektë zakonisht flasin shumë për vizionet, ëndrrat dhe të ardhmen e mjedisit të ndërtuar, por tani, përballë kritikave, duket se nuk janë në gjendje të japin as mbrojtjen më të vogël për punën e tyre.
Kritika për përdorimin e Anneke Abelakh
Në pjesën më polemike të shkrimit, autori thotë: “Ajo që mendoj se po ndodh është kjo: të gjithë këta burra të bardhë – sepse kryesisht janë burra të bardhë – mendojnë: ‘Do ta lëmë këtë grua me ngjyrë të pastrojë rrëmujën tonë. Le të dalë ajo dhe të na mbrojë!’”
Autori argumenton se nuk do të ishte hera e parë që njerëz nga komunitetet minoritare promovohen dhe vendosen në qendër të projekteve prestigjioze, për t'u përdorur më pas si “kokë turku” kur gjërat shkojnë keq.
Sipas tij, Abelakh është një kandidate e përshtatshme për këtë rol.
Episodi i “piperit”
Për ta argumentuar këtë, autori rikthehet te një deklaratë të Abelakh në festivalin “Bread and Heart” në vitin 2025.
Ajo tregonte se më 12 shtator 2024 kishte shkuar për herë të parë në Tiranë. Personi i parë me të cilin kishte shtrënguar duart ishte presidenti i Izraelit, Isaac Herzog. Pak më pas, ajo tha se ishte dashuruar me Sheshin Skënderbej.
Ajo tregonte se ishte ftuar të sillte “piper”, ndërsa të gjithë të tjerët ishin ftuar të sillnin “kripë”.
Abelakh shpjegoi se piperi ka një histori të lidhur me perandoritë, tregtinë dhe kolonializmin. Ajo tha se shekuj më parë, udhëtarë evropianë i përshkruanin gratë që dukeshin si ajo si një b, si krijesa ekzotike dhe të zjarrta, që vlerësoheshin dhe tregtoheshin si mallra.
Sipas saj: “Kjo nuk është erëza. Ky është ekzotizim.”
Por më pas ajo tha: “Kështu që e pranova sfidën.”
Autori e sheh këtë si paradoks.
Sipas tij, Abelakh e kuptoi se po ekzotizohej, por megjithatë pranoi rolin që i ishte dhënë.
Dhe tani, argumenton autori, ajo është futur “deri në gjunjë” në këtë sfidë, ndërsa burrat që e vendosën në atë pozicion nuk po dalin ta ndihmojnë.
Sipas tij, Abelakh po detyrohet të pastrojë problemet e komunikimit dhe të reputacionit të krijuara nga dekada bashkëpunimi në Shqipëri, për të cilat autori pretendon se arkitektët ndërkombëtarë kanë kontribuar, projektuar dhe promovuar.
Në përfundim, autori e lidh të gjithë këtë situatë me atë që ai e konsideron si pasqyrim të supremacisë së bardhë dhe një mentaliteti kolonialist, të cilin e sheh edhe në mënyrën se si këta arkitektë flasin dhe veprojnë në raport me Shqipërinë dhe Abelakh. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

