Foto Ilustruese (Pamfleti) / Protesta rrëzoi mitin se ndjekësit në rrjet dhe prejardhja nga populli mjaftojnë për të udhëhequr. Shqipëria kërkon ide, dije dhe karakter, jo një tjetër “Giggino” të politikës... Protesta e flamingove, që e ka marrë emrin nga mbështetësit e saj ndërkombëtarë, ka nxjerrë në pah një fenomen të njohur edhe në Europë.
Ky fenomen është emërtuar “qualunquismo”. Termi lindi në Italinë e pasluftës dhe përshkruan mosbesimin ndaj politikës, institucioneve dhe partive, si dhe bindjen se njerëzit e zakonshëm mund ta zëvendësojnë elitën drejtuese. Një nga shfaqjet moderne të këtij fenomeni mund të shihet te figura e Luigi Di Maios, i cili arriti majat e politikës italiane.
Di Maio, të cilin me përkëdheli e quanin “Giggino”, ishte një djalë që në rininë e tij punoi edhe si stjuard në stadiumin “San Paolo” të Napolit. Nuk përfi universitetin dhe nuk shfaqte ndonjë oratori të veçantë, por drejtuesit e Lëvizjes 5 Yjet, me Beppe Grillon në krye, e ngritën në majën e saj.
Pasi Lëvizja 5 Yjet doli forca më e madhe në zgjedhjet e vitit 2018, Di Maio u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punës dhe Zhvillimit Ekonomik. Më pas mori detyrën e ministrit të Jashtëm të Italisë.
Në vitin 2022, Di Maio u largua nga Lëvizja 5 Yjet dhe krijoi një grup të ri parlamentar për të vazhduar mbështetjen ndaj qeverisë së Mario Draghit. Pas përfundimit të karrierës së tij parlamentare, u emërua përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Europian për rajonin e Gjirit, detyrë që vazhdon ta mbajë.
Ky rol, i cili për shumë kritikë italianë ka një dobi të diskutueshme, është kthyer në objekt ironie për mediat e vendit. Di Maio u bë i njohur edhe për gafat gjatë takimeve ndërkombëtare. Një nga më të komentuarat lidhej me vizitën në Kinë, kur iu referua presidentit Xi Jinping si “presidenti Ping” dhe premtoi dërgimin e portokalleve siciliane në Kinë.
Një tjetër episod u prodhua nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili gjatë një vizite në Itali deklaroi se bashkë me Luigi Di Maion kishin bërë “kontrabandë” vaksinash kundër COVID-19.
Rasti i Di Maios tregoi se nuk qëndron domosdoshmërisht ideja e përhapur gjatë viteve të fundit, sipas së cilës njerëzit e ardhur nga populli qeverisin më mirë se e ashtuquajtura elitë.
Në epokën digjitale, shumë njerëz të ashtuquajtur të thjeshtë mendojnë se janë liderë të mundshëm vetëm sepse kanë fituar një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale.
Revolucioni i flamingove ka treguar se një protestë e gjatë, këmbëngulëse dhe e kthyer në model pozitiv për shoqërinë, nuk ka arritur ende të prodhojë një lidership që të tërheqë vëmendjen e publikut vendas dhe atij ndërkombëtar.
Çështja e lidershipit, siç ka treguar historia botërore, nuk lidhet domosdoshmërisht me shtresat, klasat apo elitat. Ata që zotërojnë më shumë fuqi, para dhe lidhje në shoqëri e kanë më të lehtë të ecin përpara, por nëse nuk kanë aftësi drejtuese, dështojnë.
Spartaku, udhëheqësi legjendar i skllevërve që tronditi Republikën Romake, mbetet edhe sot simboli i liderit që vjen nga populli. Të njëjtën ide përfaqëson edhe rrëfimi biblik i Davidit të vogël dhe të brishtë, i cili mundi Goliathin e stërmadh dhe të fuqishëm.
Talenti i një udhëheqësi nuk përcaktohet nga klasa shoqërore së cilës i përket. Historia njeh shumë njerëz të ardhur nga shtresat e ulëta, të cilët më pas u ngjitën në krye të elitës.
Edhe kombi shqiptar ka shembuj të tillë. Fan Noli, i lindur në një familje të thjeshtë, arriti majat e elitës intelektuale të vendit falë veprës së tij, kryesisht asaj të shkruar.
Migjeni përbën një shembull tjetër, ndërsa bota është e mbushur me modele të ngjashme. Problemi nuk qëndron te prejardhja apo te sasia e parave që ka në xhep një person që kërkon të bëhet udhëheqës.
Rëndësi ka aftësia e tij për të krijuar në publik modelin e një udhëheqësi. Edhe njeriu i thjeshtë apo i varfër e përfytyron udhëheqësin si një burrë ose grua të mençur, të ditur dhe të aftë. Ai nuk kërkon thjesht një “person të zakonshëm”, i cili mbetet në nivelin e djemve të lagjes.
Modeli i liderit të ardhshëm shqiptar, që mund ta rrëzojë Edi Ramën dhe ta pasojë, nuk ka pse të jetë një gjeni apo një fëmijë i rritur me pekule dhe gjithmonë në qendër të vëmendjes.
Nuk ka pse të jetë as një zog klluke si pjesëtarët e elitës sonë, të cilët krenohen vazhdimisht me bibliotekat e mëdha familjare. Megjithatë, edhe nëse udhëheqësi i ardhshëm nuk është rritur mes bibliotekave të mëdha, ai duhet të ketë lexuar gjatë jetës.
Edhe fenomeni i “ujqërve” të TikTok-ut, që nisen nga Cërriku, Shijaku apo qytete të tjera dhe flasin për politikën e financën e lartë, ndërkohë që mezi kanë përfunduar klasën e tetë, është për barsoletë.
Po aq për barsoletë janë profesorët e fryrë me gradat e universiteteve kioskë, të cilët flasin për çështje të mëdha, si kombi dhe gjuha, ndërsa sulmojnë autoritetet që ua kanë kushtuar jetën këtyre fushave.
Identikiti i një lideri të ri nuk mund të ndërtohet sipas një klisheje që përcakton gjatësinë, pamjen, shkollën apo nëse i bie pianos ose jo. Ai duhet të jetë një person i talentuar, që flet përmes ideve të veta dhe arrin t’i bëjë njerëzit t’i dëgjojnë.
Jo vetëm publikun virtual, por njerëzit që mendojnë dhe lexojnë gjatë gjithë jetës së tyre, të cilët në Shqipëri nuk janë pak.
Edi Rama ka abuzuar me imazhin e njeriut të lexuar. Pjesa më e madhe e këtij imazhi është artificiale, por një pjesë e tij qëndron. Alteregoja e Ramës nuk ka pse të jetë një Edi Ramë tjetër, që flet me gjuhën elitare të ’72-shit dhe tallet me dikë që nuk e vendos presjen në vendin e duhur apo nuk përdor shkronjën “ç”.
Shqiptarët presin një figurë tjetër, sepse u ka ardhur në majë të hundës abuzimi me një erudicion që shpesh nuk është i tillë. Ata kërkojnë një pasqyrë kombëtare të ndërgjegjes së tyre, e cila nuk ka pse të mbajë domosdoshmërisht titullin “profesor doktor”./Pamfletiidentikiti i një lideri që rrëzon edi ramën gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Misteri i vdekjes së Allison Guerrieros dhe Kryeministri ynë 1 Shtator 2026, 11:0911:09Editorial Të gjithë në pritje të gjeneralit 31 Gusht 2026, 12:1012:10Editorial Kush po luan në Podgoricë me emrin e Shqipërisë? 30 Gusht 2026, 11:5311:53Editorial Misteri i Shqipërisë në alarmin e Milojko Spajiçit 29 Gusht 2026, 14:0814:08Editorial Çfarë fsheh vizita e beftë e shefit të CIA-s në Moskë? 28 Gusht 2026, 20:4120:41Editorial Gysi, 'fuçia' që Edi ua hodhi peshkaqenëve 27 Gusht 2026, 15:2615:26Editorial

