Pronari i automjetit tip “Benz” që u dëmtua nga shpërthimi me lëndë plasëse në orët e para të mëngjesit në Lezhë është Aleksandër Ndoja, një emër i njohur për policinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:50, në një garazh pranë zonës së “Mileniumit”, ku shpërthimi shkaktoi dëme materiale në automjet, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Ndoja rezulton të ketë precedentë penalë, ndërsa në vitin 2022 është proceduar për kundërshtim të forcave të policisë, përndjekje dhe shkelje të masës së arrestit shtëpiak. Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare që të lidhin këto precedentë me shpërthimin e ndodhur mëngjesin e sotëm.
Policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të ngjarjes. Ende nuk dihen motivet e vendosjes së lëndës plasëse dhe pista kryesore e hetimit mbetet për t'u sqaruar.

