Një zjarr masiv ka përfshirë sërish vendgrumbullimin e mbeturinave në Kameras të Fushë-Krujës, duke shkaktuar një situatë alarmante mjedisore për të gjithë zonën rrethuese. Sipas të dhënave të para nga autoritetet, ekzistojnë dyshime të forta se zjarri është i qëllimshëm, pasi flakët i janë vënë të gjithë fushës së mbetjeve njëkohësisht, çka ngre dyshime për përdorimin e lëndëve djegëse. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe rreth njëmujore që ky vendgrumbullim bie pre e flakëve. Reja e dendur e tymit toksik ka mbuluar menjëherë zonën, ndërsa në varësi të drejtimit të erës, tymi po përhapet me shpejtësi drejt Mamurrasit dhe Kamzës, duke vështirësuar frymëmarrjen e banorëve. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po përpiqen të mbajnë flakët nën kontroll për të shmangur përhapjen e mëtejshme. Megjithatë, ekspertët bëjnë me dije se izolimi dhe shuarja e zjarrit është e pamundur të realizohet vetëm me ujë nga mjetet zjarrfikëse. Kjo lloj vatre kërkon nevojë urgjente për ndërhyrje me mjete të rënda dhe fadroma për të bërë kapsulimin e mbetjeve me dhe, si e vetmja mënyrë efikase për shuarjen e plotë të flakëve nën sipërfaqe. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

