Një lëndë plasëse e dyshuar tritol, është konstatuar mëngjesin e kësaj të enjteje pranë derës së jashtme të një lokali në Kamëz. Sipas njoftimit të policisë, lënda nuk ka shpërthyer, ndërsa për heqjen e saj në mënyrë të sigurt kanë ndërhyrë shërbimet e specializuara xheniere. Ndërkohë, sipas policisë, lokali është në pronësi të shtetasit Klevis Hyka, 38 vjeç, teksa po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes. Njoftimi i plotë i policisë: Më datë 29.10.2026, rreth orës 06:30, në rrugën “Berisha”, në Kamëz, është konstatuar një sasi e dyshuar lënde plasëse, e vendosur pranë derës së një subjekti (lokal), në pronësi të shtetasit K. H., 38 vjeç, e cila nuk ka shpërthyer. Shërbimet e specializuara xheniere kanë bërë të mundur heqjen e lëndës së dyshuar plasëse nga vendngjarja. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
