Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Chiari të provincës së Brescias në Itali, ku 21-vjeçari Eduart Xhani dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e tij, Meleqe Lusha, 39 vjeçe. Krimi i rëndë ndodhi në banesën e tyre në rrugën Tagliata Traversa. Pas ngjarjes, i riu u largua nga vendi i krimit, por pak më vonë u dorëzua në polici.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në zonë, ndërsa kryetari i bashkisë së Chiarit e cilësoi atë si një situatë të pashpjegueshme. Ai tha se familja ishte e njohur dhe e integruar në komunitet, duke shprehur solidaritetin me të afërmit e viktimës. Edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar kanë shprehur tronditjen e tyre, duke e përshkruar 21-vjeçarin si një djalë të edukuar, serioz dhe të përkushtuar në punë.
Sipas presidentit të shoqatës së shqiptarëve të Chiarit, Denis Beqiri, nëna e kishte rritur të birin e vetme, me mbështetjen e familjarëve të saj. Ai u shpreh se nuk arrin të kuptojë arsyet e këtij veprimi, duke theksuar se krimi është i pafalshëm dhe nuk përfaqëson komunitetin shqiptar. Ndërkohë, autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e tragjedisë.

