Lajme Zone
'I përkëdhelte fëmijët, më pas u merrte jetën', vdes prapa hekurave 'Kasapi i Bosnjës', Ratko Mlladiç! U burgos përjetë për masakrën e Srebrenicës ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

'I përkëdhelte fëmijët, më pas u merrte jetën', vdes prapa hekurave 'Kasapi i Bosnjës', Ratko Mlladiç! U burgos përjetë për masakrën e Srebrenicës ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë

Emri i Ratko Mlladiçit lidhet me gjenocidin në Srebrenicë, ku në korrik të vitit 1995 u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë. I njohur si "Kasapi i Bosnjës", ai u shpall fajtor nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke u dënuar me burgim të përjetshëm.

Ratko Mlladiç, gjenerali serb i dënuar për gjenocidin në Srebrenicë, ka vdekur sot në moshën 84-vjeçare. Ai ndërroi jetë në burgun e Hagës, ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga gjykata ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë konfliktit në Bosnje. Mlladiç vuante prej kohësh nga probleme të rënda shëndetësore. Në vitet e fundit ai kishte pësuar një goditje në tru dhe një infarkt, ndërsa gjendja e tij ishte përkeqësuar vazhdimisht. Djali i tij, Darko Mlladiç, kishte kërkuar lirimin e tij për arsye humanitare, duke argumentuar se gjendja shëndetësore ishte terminale. “Mjekët në Hagë më kanë shpjeguar se është në fund të jetës. Mendoj se ta mbash në burg nuk është humane. Gjenerali është 84 vjeç dhe nuk paraqet rrezik arratisjeje”, ishte shprehur ai. LEXO EDHE:Vdekja e Ratko Mlladiçit ndan Serbinë në dysh! Disa e vajtojnë, të tjerë festojnë në rrjete sociale: Duhej të kishte vuajtur më shumë! Megjithatë, kërkesa për lirimin e parakohshëm u rrëzua disa herë. Refuzimi i fundit erdhi vetëm pak orë para vdekjes së Mlladiçit, kur presidentja e Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale, Graciela Gati Santana, vendosi të mos e pranonte kërkesën. Gjykata e Hagës argumentoi se, edhe pse Mlladiç kishte probleme të rënda me frymëmarrjen, mbante stimulues kardiak (pacemaker) dhe vuante nga dëmtime të rënda në veshka, arsyet humanitare të paraqitura nuk justifikonin një masë të jashtëzakonshme si lirimi i parakohshëm. Vetëm pak orë më vonë, ai ndërroi jetë në spitalin e paraburgimit në Sheveningen. Lufta dhe gjyqet Ratko Mlladiç lindi në vitin 1942 në një fshat në jug të Sarajevës. Ai iu bashkua ushtrisë që në moshë të re dhe ngjiti shpejt shkallët e karrierës ushtarake, duke u bërë kolonel në vitin 1991. Me shpërthimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1992, Mlladiç mori drejtimin e forcave serbe të Bosnjës. Ai ishte komandanti i rrethimit të Sarajevës, një nga rrethimet më të gjata të një qyteti në historinë moderne, që zgjati gati katër vjet. Në korrik të vitit 1995, Mlladiç urdhëroi gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë të paktën 8.372 boshnjakë, kryesisht burra dhe djem. Gjenocidi në Srebrenicë konsiderohet krimi më i rëndë i kryer në Evropë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Përgjegjësitë e Ratko Mlladiçit dolën në dritë menjëherë pas përfundimit të luftës, por ai arriti t’i shpëtonte drejtësisë për 16 vjet. Gjatë kësaj periudhe, ai u mbrojt fillimisht nga strukturat e sigurisë serbe dhe ato të serbëve të Bosnjës, e më pas nga familja e tij. Mlladiç u arrestua vetëm në vitin 2011 në Serbi dhe pak ditë më vonë u ekstradua në Hagë, ku u përball me akuzat për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Në vitin 2017, Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë e dënoi me burgim të përjetshëm, ndërsa në vitin 2021 apeli u rrëzua dhe dënimi u la përfundimisht në fuqi. Masakrat dhe krimet kundër njerëzimit Darko Mlladiç, i cili edhe në intervistat e fundit i referohej të atit si “gjenerali”, kërkoi që ai të lirohej nga burgu për të kaluar ditët e fundit të jetës në Serbi dhe për të parë edhe një herë nipin e tij. Ndryshe nga motra e tij Ana, e cila, sipas disa biografëve, u vetëvra në vitin 1994. Disa autorë e kanë lidhur vendimin e saj me tronditjen nga raportimet për krimet e luftës që i atribuoheshin të atit, ndërsa familja e Mlladiçit e ka kundërshtuar gjithmonë versionin zyrtar të vetëvrasjes. Ndërsa familja kërkonte lirimin e tij për arsye humanitare, mbi Ratko Mlladiçin rëndonte dënimi për disa nga krimet më të rënda të luftës në Bosnje. Tribunali i Hagës e shpalli fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke e mbajtur përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë dhe për një fushatë të gjerë dhune ndaj popullsisë boshnjake, që përfshinte vrasje, dëbime, përdhunime dhe tortura. Në vendimin e gjykatës përshkruhen ekzekutimet masive të mijëra burrave dhe djemve boshnjakë pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995, si edhe përpjekjet për të fshehur krimet duke zhvendosur trupat e viktimave në varre masive dytësore. Gjykata e shpalli Mlladiçin fajtor për rolin e tij në këto krime dhe e dënoi me burgim të përjetshëm. Përgjegjësia e “helmetave blu” Masakra e Srebrenicës hapi gjithashtu një debat të gjatë për përgjegjësinë e forcave paqeruajtëse të OKB-së. Në korrik të vitit 1995, enklava ishte shpallur “zonë e sigurt” dhe mbrohej nga një batalion holandez i “helmetave blu”, i cili nuk arriti të ndalonte hyrjen e forcave të Ratko Mlladiçit. Vite më vonë, ish-gjenerali francez Philippe Morillon, i cili gjatë luftës kishte komanduar forcat e OKB-së në Bosnje, vizitoi Memorialin e Srebrenicës për të kërkuar falje. Ai tha se kishte ardhur “si i krishterë”, në shenjë pendese për dështimin e misionit paqeruajtës në mbrojtjen e civilëve boshnjakë. Por familjarët e viktimave nuk e pranuan gjestin e tij. Sipas raportimeve të kohës, disa prej nënave të Srebrenicës e dëbuan nga varrezat përkujtimore, duke e akuzuar OKB-në se kishte dështuar të mbronte mijëra civilë që kërkuan strehim në zonën e shpallur të sigurt. Njëra prej tyre iu drejtua me fjalët: “Shikoje mirë këtë vend, Morillon! Është pasqyra jote. Zoti nuk do të të falë kurrë.” Ushtari holandez: “U ndjeva si një ushtar i SS-së” Përvjetorët e gjenocidit të Srebrenicës kanë qenë gjithmonë të mbushur me polemika dhe plagë të hapura. Në 10-vjetor, në kulmin e luftës globale kundër terrorizmit, sipas shumë vëzhguesve, komuniteti ndërkombëtar nuk i kushtoi vëmendjen e duhur masakrës. Në 20-vjetor pati incidente dhe përplasje, ndërsa 30-vjetori, i shënuar në vitin 2025, u shoqërua sërish me tensione dhe zemërim. Ndjenja e fajit vazhdon të rëndojë mbi shumë prej atyre që ishin dëshmitarë të ngjarjeve të korrikut 1995. Pas masakrës, qeveria e Holandës dha dorëheqjen, pasi u përball me kritika për dështimin e batalionit holandez të OKB-së në mbrojtjen e civilëve në zonën e shpallur të sigurt. Njëri prej ish-ushtarëve holandezë, Raymond Braat, i cili në atë kohë ishte vetëm 20 vjeç, ka folur hapur për peshën që mban ende mbi ndërgjegje. “Një mbrëmje po shikonim një film për nazistët dhe i thashë gruas sime: ‘E sheh atë? Edhe unë kam qenë ashtu, si një ushtar i SS-së’. E dinim shumë mirë se gjithë ata njerëz do të vdisnin”, ka rrëfyer ai. Sot, Braat përpiqet të përballet me traumën duke dalë në skenë në një shfaqje teatrore së bashku me Alma, një grua që humbi të atin në gjenocidin e Srebrenicës. Gjatë shfaqjes ai i drejtohet me fjalët: “Për një kohë të gjatë kam dashur të vdes. Nuk mund ta kthej babanë tënd, Alma, por më thuaj çfarë mund të bëj për ty tani.” Bilanci i viktimave të SrebrenicësEdhe pas tre dekadash, numri i saktë i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë mbetet i papërcaktuar. Ekzekutimet masive zgjatën tetë ditë dhe deri më sot janë identifikuar 8.372 viktima. Megjithatë, procesi i identifikimit vazhdon ende. Mbi 1.500 trupa nuk janë identifikuar plotësisht, ndërsa besohet se të paktën një mijë persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Dhimbja e familjarëve nuk është shuar. “Nga burri im u gjet vetëm nofulla. Kam pritur më kot që të gjendeshin edhe pjesët e tjera të trupit. Tani dua vetëm të kem një varr ku të mund ta qaj”, ka rrëfyer Mevlida Omeroviç, e cila humbi rreth 50 të afërm gjatë gjenocidit. Heshtja dhe revizionizmi Edhe pas më shumë se tre dekadash, shumë familje vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e të afërmve të zhdukur. Gjatë viteve të fundit janë zhvilluar kërkime në pyje dhe në lumin Drina, por shumë viktima nuk janë gjetur ende. Një nga arsyet, sipas familjarëve të viktimave dhe organizatave që merren me dokumentimin e krimeve të luftës, është se shumë prej atyre që kanë dijeni për vendndodhjen e varreve masive nuk kanë folur kurrë. Ndërkohë, në një pjesë të opinionit publik serb vazhdon të mohohet ose të relativizohet gjenocidi i Srebrenicës. Në vitin 2024, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë të vitit 1995, duke riafirmuar vendimet e gjykatave ndërkombëtare që e kanë cilësuar masakrën si gjenocid. Megjithatë, udhëheqës të serbëve të Bosnjës vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë përcaktim. Milorad Dodik, president i Republikës Sërpska, ka deklaruar vazhdimisht se Srebrenica ishte një krim i rëndë lufte, por jo gjenocid, duke hedhur poshtë vendimet e Tribunalit të Hagës dhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në të kundërt, një nga ish-komandantët e forcave serbe të Bosnjës, gjenerali Radislav Krstiç, i dënuar gjithashtu nga Tribunali i Hagës, ka pranuar se forcat serbe kryen gjenocid ndaj myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë. “Është e qartë se forcat e ushtrisë sime kryen një gjenocid të vërtetë kundër myslimanëve të Bosnjës. Disa anëtarë të shtabit tonë kishin këtë qëllim”, ka deklaruar ai. Ceremonia përkujtimore e 2025-ës Pak ditë para 11 korrikut 2025, autoritetet e Republikës Sërpska, të udhëhequra nga Milorad Dodik, organizuan në Bratunac një ceremoni të veçantë përkujtimore, si alternativë ndaj përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Në ceremoni mori pjesë edhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili e cilësoi atë si një ditë zie për të përkujtuar 3.300 serbë të vrarë gjatë luftës në Bosnje, duke thënë se vuajtjet e tyre kanë mbetur të panjohura dhe të anashkaluara. Gjatë aktivitetit, emri i Srebrenicës nuk u përmend. Organizatorët iu referuan vetëm “ngjarjes tjetër që po zhvillohej jo larg prej këtu”, ndërsa u bënë thirrje institucioneve ndërkombëtare që, sipas tyre, të vendosin drejtësi edhe për viktimat serbe të luftës./CorrieredellaSera Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 19:49 Vdekja e Ratko Mlladiçit ndan Serbinë në dysh! Disa e vajtojnë, të tjerë festojnë në rrjete sociale: Duhej të kishte vuajtur më shumë! Vdekja e Ratko Mlladiçit ka ndarë Serbinë në dysh. Ndërsa një pjesë e qytetarëve kanë shprehur ngushëllime për ndarjen e tij nga jeta, në rrjetet sociale janë publikuar edhe komente që e kanë pritur me gëzim lajmin.Media serbe B92 ka publikuar disa nga reagimet në platformën X, ku mes komenteve shkruhet "Lajm i mirë", "Duhet të ndalohet varrimi i një krimineli lufte", "Do ta festoj me një birrë" dhe "Më vjen keq që nuk vuajti më shumë". Këto reagime janë shpërndarë nga mbështetës të protestave studentore dhe opozitës në Serbi.Mediat pranë Aleksandër Vuçiçit nga ana tjetër I kanë kushtuar artikuj e analiza pozitive 'kasapit të Bosnjës" duke publikuar edhe letra dhe shënime të tij ku fliste për lirinë. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 15:46 Fundi tragjik i vajzës së preferuar të Ratko Mlladiçit, vrau veten nga turpi me armën që i kishte dhuruar i ati Zemra e babait. Drita e syve të mi. Jeta ime.Edhe kriminelët dinë t’i thonë këto fjalë. Babai Ratko ia thoshte Anës së tij. Më të madhes. Të preferuarës. E quante “djali im”, siç është zakon në Krajinë. Djalë, edhe pse ishte vajzë, sepse në disa botë nuk ka mënyrë më të mirë për ta dashur vajzën e parë sesa ta konsiderosh djalë.Gjenerali dhe vogëlushja. Ratko e përkëdhelte, duke u përkëdhelur edhe vetë. Ana e përqafonte, duke u përqafuar prej tij. Ai i jepte të çmontonte dhe të pastronte pistoletën Zastava, armën e akademisë ushtarake, dhe i thoshte: “Një ditë do ta dhuroj ty dhe ti do t’ia japësh djalit tënd, nipit tim.” Ajo e pastronte me zell, më mirë se një ushtar shërbimi, me vaj dhe tretës, e lumtur që i bindej verbërisht.Pastaj ndodhi që Ana u rrit. Më pak e verbër. Më pak e gëzuar. Edhe më pak e bukur. Pa zemrën e vërtetë, të zezë, të babait. Sytë morën një dritë tjetër. Jeta një rrugë tjetër. Ana, që ëndërronte të bëhej kirurge, sepse kur ishte i ri edhe babai kishte pasur të njëjtën ëndërr të parealizuar, një natë u zgjua brenda një makthi.Ishte 24 marsi 1994. Ishte 23 vjeçe. Hapi dollapin e shtëpisë. Nxori Zastavën. Qëlloi veten në tëmth.Të qëllosh veten dhe të zhdukesh. Thuhet se e mori sekretin me vete në varr. Kur, në të vërtetë, disa varre nuk mbajnë asnjë sekret. Shkrimtarja katalanase Clara Usón lexoi, dëgjoi dhe udhëtoi për dyzet muaj për të shkruar “Vajza”, një roman që në Spanjë u shpall libri i vitit dhe u vlerësua me krahasime të mëdha: shekspirian, Çehov i pastër; për Adriano Sofrin, romani më i bukur për dy dekadat ballkanike. Është rrëfimi i një familjeje të tretur nga luftërat.“Kur lexova këtë histori te The Times,” thotë Clara, e cila dikur ishte avokate, “mendova menjëherë se ishte jashtëzakonisht e fuqishme. Një tragjedi greke. Ose ruse. Marrëdhënia e Anës me të atin nuk ka asgjë edipiane. Gjithçka është në një video që mund të shihet në YouTube. Janë të dy duke bërë shaka gjatë një pikniku. Pastaj ekrani bëhet i zi. Skena tjetër është Mlladiçi që dëshpërohet mbi një arkivol. Unë doja të merresha me atë errësirë.”Historia e kësaj vajze ndryshon gjatë një udhëtimi në Moskë, ku shkon me shokët e saj, dëgjon disa gjëra dhe diskuton për të tjera. Tortura. Përdhunime. Ana kupton se njeriu që kishte marrë për pikë referimi ndoshta nuk është heroi që ajo besonte. Kthehet në shtëpi e ndryshuar, e mbyllur në vetvete, pa i treguar askujt çfarë mendon.“Ka shumë interpretime të mundshme: Ana vret veten për të vrarë, në të vërtetë, babanë e saj. Ose sepse ndien peshën e fajit dhe nuk mund të jetojë me të. Ose është një lloj sakrifice: po vras veten që ti ta kuptosh. Unë jam njeriu që ti do më shumë në botë dhe ti duhet ta kuptosh vuajtjen që po u shkakton të tjerëve.”Në Beograd nuk është sekret se ku ndodhet varri i Anës. Ratko shkonte fshehurazi atje gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve që ishte në arrati. Ditën e arrestimit, ai deshi të linte gjashtë trëndafila mbi varrin e saj, përpara se të dërgohej në Hagë dhe të gjykohej për rrethimin e Sarajevës, spastrimin etnik në Bosnje dhe gjenocidin e Srebrenicës.“Cilido të ketë qenë mesazhi i vajzës së tij, ai nuk e pranoi kurrë,” thotë Clara Usón. “Ai vazhdon të flasë për vrasje, për komplot. Thotë se ajo nuk do ta kishte vrarë kurrë veten me Zastavën, sepse e dinte mirë çfarë simbolizonte ajo armë për të. Ndoshta pikërisht aty qëndron përgjigjja: pistoleta që duhej të simbolizonte vazhdimësinë e fisit, u përdor për t’i dhënë fund asaj.”Ana u zhduk, si shumë fëmijë të tjerë të dëshpëruar të historisë: nëse fëmijët e vegjël të Goebbelsit nuk patën kohë të ndienin peshën e mbiemrit të tyre, sepse cianuri i nënës ua kurseu atë, Bettina Goering zgjodhi të sterilizohej, vetëm që të mos e transmetonte atë gjak.“Mlladiçi nuk ishte në gjendje të vriste veten: kur e arrestuan kishte shumë armë, por nuk provoi asnjëherë. Fajet e etërve, sado e padrejtë të jetë, rëndojnë mbi fëmijët më shumë sesa fajet e fëmijëve mbi prindërit. Në Bibël, Zoti ia shtron provën Abrahamit dhe është djali ai që duhet të sakrifikohet për të dëshmuar dashurinë ndaj Zotit. Sot, djali i një politikani të korruptuar shkon në shkollë dhe shokët i thonë: ‘Babai yt është hajdut.’ Nëse përbindëshi është prindi yt, nuk ke zgjidhje: ose mohon gjithçka, ose e mohon atë.”Disa ADN janë një sprovë e rëndë: djali i Stalinit, një toger i kapur nga Wehrmachti, vrau veten në kampin e robërve pasi i ati, me përbuzje, refuzoi ta shkëmbente me feldmarshallin Von Paulus, të kapur nga sovjetikët (“Nuk jap një feldmarshall për të marrë një toger të thjeshtë”).Fëmijë me ndjeshmëri të ndryshme: Alina Castro e derdhi gjithë përçmimin e saj në një libër, ndërsa Katrin Himmler përpiqet ta shpjegojë me argumente.Vëllai i Anës, Darko, jeton duke mohuar babanë e tij gjenocidal. Libri i Clarës nuk i pëlqeu dhe ai ia ndaloi botuesit përdorimin e fotografive familjare. “Në Serbi ka shumë njerëz me ndërgjegje të pastër, por ende dëgjon të thuhet se kampet serbe të përqendrimit ishin ngritur në studiot e Hollivudit me modele anoreksike. Kryeministri Nikoliç tha gjëra të turpshme për Srebrenicën.”Tragjedia e Ratkos dhe Anës mbaron aty, në masakrën më të egër që Evropa ka parë pas nazizmit. Pastrimi i një familjeje shndërrohet në një banjë gjaku kolektive.Disa javë pas vdekjes së Anës, të cilën ai e quante “Ylli” i tij, Mlladiçi rrafshon Gorazhden: emri i koduar i operacionit ishte “Operacioni Ylli”. Një vit më vonë erdhi masakra e tetë mijë njerëzve në Bosnjën Lindore.“Ka një Mlladiç para dhe pas vdekjes së Anës. Një njeri i çmendur nga dhimbja, i dëshpëruar. Jam e bindur se Srebrenica ishte një hakmarrje ndaj botës. Ekspertët ushtarakë thonë se vrasja e gjithë atyre njerëzve nuk kishte asnjë logjikë, as nga pikëpamja strategjike.”Ratko tani kalbet në një qeli në Holandë; edhe procesi i tij ka mbetur pas. Gjyqtarët dëgjojnë delirët e tij për një Evropë në rrezik dhe për Islamin që, sipas tij, duhet ndalur me çdo mjet.“Kur i lexoj ato fjalë, trembem, sepse i njoh,” thotë Clara. “Ne spanjollët dhe ish-jugosllavët kemi kaluar përvoja të ngjashme: luftë civile, diktaturë, përplasje etnike, ideja e krishterimit si fortesë kundër maurëve – për ne – dhe kundër osmanëve – për ta. Sot, teksa rikthehen ksenofobia dhe Agimet e Arta, në Evropë nuk shohim Mlladiçë të rinj, por po rikthehen idetë e tyre të vjetra. Në Bundestag, një deputet shprehte alarm sepse turqit po shtohen shumë dhe po shkatërrojnë identitetin gjerman. Janë të njëjtat gjëra që dikur thuheshin për shqiptarët në Kosovë. Dhe e pamë se si përfi…”Ana e pa shumë vonë. Dhe nuk e përballoi dot atë që pa./CorrieredellaSera U.D/Shqiptarja.com Share Ora 15:35 Letra e fundit për Mlladiçin! Vuçiç kërkoi ta nxirrte nga burgu i Hagës para vdekjes Vetëm shtatë ditë para vdekjes së Ratko Mlladiçit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i dërgoi një kërkesë me shkrim administratës së Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale në Hagë, duke kërkuar që i dënuari për gjenocidin në Srebrenicë të lirohej për arsye humanitare dhe ditët e fundit të jetës t'i kalonte në një spital në Serbi.Sipas mediave serbe, Vuçiç e bazoi kërkesën në raportin mjekësor që tregonte se gjendja shëndetësore e Mlladiqit ishte terminale. Në letrën e tij, presidenti serb argumentoi se lejimi i transferimit të Mlladiqit në Serbi për trajtim ishte një çështje humaniteti dhe jo një çështje që vinte në diskutim vendimet gjyqësore të Tribunalit.Në mesin e muajit gusht, edhe mbrojtja e Mlladiqit kishte paraqitur një kërkesë për lirim të parakohshëm me kushte për arsye humanitare, duke argumentuar se raportet mjekësore konfirmonin se ai ndodhej në fazën e fundit të jetës.Megjithatë, Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale në Hagë e rrëzoi kërkesën. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 15:23 Djali i Ratko Mlladiç rrëfen orët e fundit të jetës në burg të kriminelit të luftës: Lëngonte në shtrat, i dhanë fentanil për dhimbjet! I dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krimin më të rëndë të kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, krimineli i luftës Ratko Mlladiç i kaloi ditët e fundit të jetës në spitalin e burgut në Hagë, duke lwnguar nga dhimbjet e forta. Sipas familjes gjendja e tij ishte përkeqësuar në mënyrë të pakthyeshme.Djali i tij, Darko Mlladiç , tha se javët e fundit i ati pothuajse nuk fliste më. Sipas tij, mjekët i kishin nisur trajtimin me fentanil, një opioid i fuqishëm që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve të forta, ndërsa qëndrimi i gjatë në shtrat i kishte shkaktuar plagë në trup.Familja pretendon se gjithçka nisi më 10 prill, kur Mlladiqi pësoi goditjen e parë në tru. Sipas Darkos, mjekët nuk e diagnostikuan siç duhej dhe një muaj më vonë ai pësoi edhe një goditje të dytë, e cila ia përkeqësoi gjendjen. Prej gushtit të vitit 2024, ai nuk ishte ngritur më në këmbë dhe lëvizte vetëm me karrocë.Darko Mlladiç tha se babai i tij vuante gjithashtu nga probleme me zemrën, veshkat dhe diabeti. Sipas tij, mjekët e kishin njoftuar familjen se ai mund të vdiste brenda pak ditësh, ndaj u bë edhe një kërkesë e fundit për lirimin e tij për arsye humanitare. Kërkesa u refuzua.Ratko Mlladiç vdiq në moshën 84-vjeçare, duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. Gjykata e shpalli fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke e mbajtur përgjegjës për vrasjen e mbi 8 mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë, si edhe për rrethimin e Sarajevës. U.D/Shqiptarja.com Share U.D/Shqiptarja.com TAG: Bosnje Hercegovina Ratko Mlladiç Masakra e Srebrenicës Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 4.0 / 5 (4 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

24 Gusht, 21:21

Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.4% Keq 35% Nuk e di 12.6% Vota total: 3828 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21 Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?