Bashkia e Tiranës është përfshirë nga një bllokim total administrativ pas vendimit të kryetarit Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti e gjysmë, për të shfuqizuar kompetencat e deleguara më parë ndaj nënkryetares Anuela Ristani. Ky urdhër, i publikuar në tabelat e njoftimeve publike, e la Ristanin pa të drejtë firmënxjerrjeje, duke sjellë më pas dorëheqjen e saj pas një dekade në këtë institucion.
Administrata ka rënë në kaos të plotë, pasi asnjë vendim nuk mund të kalojë pa firmën e titullarit. Janë bllokuar shërbimet kyçe, duke përfshirë pagesat e ndihmës ekonomike, pagat e muajit gusht për punonjësit e bashkisë, masat për nisjen e vitit të ri shkollor, projekti “after-school”, si dhe kontratat e pastrimit dhe afatet e taksave të ndërtimit.
Për të gjetur një rrugëdalje ligjore, në ambientet e bashkisë u shfaq avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, i cili zhvilloi takime për të shqyrtuar se si mund të zhbllokohen dokumentet dhe vendimet emergjente që kërkojnë firmën e kryetarit nga qelia.
Ndërkohë që angazhohet si mbrojtës ligjor në këtë krizë të Bashkisë së Tiranës, vetë Plarent Ndreca është një figurë e përfshirë në hetime të bujshme penale. Prokuroria e Posaçme (SPAK) e ka marrë zyrtarisht të pandehur dhe ka dërguar çështjen e tij për gjykim, duke e akuzuar për veprën penale "shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike". Këto akuza lidhen me kohën kur ai mbante detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, konkretisht për parregulsitë dhe abuzimet e konstatuara në fondet e tenderit për rikonstruksionin e katër komisariateve të policisë (Vlorë, Mirditë, Pogradec dhe Komisariati Nr. 4 në Tiranë).

