Lajme Zone

I dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi takim me Vuçiç, Sorensen: Jemi dakord të punojmë për të mirën e të gjithëve

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen tha të enjten se ka zhvilluar takime të mira në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryenegociatorin e Serbisë në dialog, Petar Petkoviq, për avancim të diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut si dhe analizimin e përparimit në zbatimin të Ligjit për të Huajt.

I dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi takim me Vuçiç, Sorensen: Jemi dakord të punojmë për të mirën e të gjithëve

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen tha të enjten se ka zhvilluar takime të mira në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryenegociatorin e Serbisë në dialog, Petar Petkoviq, për avancim të diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut si dhe analizimin e përparimit në zbatimin të Ligjit për të Huajt. “U pajtuam për nevojën që të jemi të angazhuar dhe të punojmë së bashku për të mirën e të gjithëve”, tha Sorensen përmes një postimi në X. Presidenti Vuçiç tha më herët gjatë ditës se me Sorensenin diskutoi për çështjet që rëndojnë marrëdhëniet në rajon. “Në fokus të bisedës ishte situata në ‘Kosovë dhe Metohi’, veçanërisht siguria e popullsisë serbe dhe pasiguria e madhe që ajo përjeton, për shkak të aplikimit selektiv të ligjeve dhe diskriminimit të dukshëm në shumë fusha të jetës”, shkroi Vuçiç në Facebook.

Ai tha se masat e njëanshme të Prishtinës dhe zbatimi i ligjeve pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz mbi popullin serb dhe “institucionet jetike serbe” në Kosovë. Vuçiç, mesa duket, iu referua Ligjit për të huajt dhe atij për automjete, që nisën të zbatohen në Kosovë nga 15 marsi.

Vuçiç shtoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si rruga e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Ai tha se ka kërkuar angazhimin konkret të aktorëve në Prishtinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai, po ashtu, paralajmëroi se “veprimet e njëanshme nga Prishtina” rrisin tensionet dhe cenojnë stabilitetin e brishtë në terren, duke dëmtuar procesin e dialogut.

“Kam përsëritur se angazhimi i fortë dhe i vazhdueshëm i BE-së është thelbësor për të parandaluar aktivitete të tilla dhe për të siguruar që asnjë veprim të mos ketë për qëllim pengimin e dialogut, por, përkundrazi, krijimin e kushteve për zhvillimin e tij të qetë dhe konstruktiv”, shkroi Vuçiç në rrjetet sociale.

Muajin e kaluar, Sorensen u prit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

Pas atij takimi, Qeveria e tij u ofroi disa lehtësira të përkohshme qytetarëve serbë në Ligjin për të huajt.

Një ditë më herët, gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut, Kurti tha se institucionet e shtetit funksionojnë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Sorensen takoi së voni edhe zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, me të cilët tha se ka siguruar harmonizim për hapat e ardhshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Një takim të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të këtyre dy vendeve nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023, edhe pse BE-ja ka shprehur gatishmërinë për të organizuar një të tillë./ REL © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb