Lajme Zone
Hungaria hap dosjet e informatorëve: Po Shqipëria ku është?
PolitikëCNA
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Hungaria hap dosjet e informatorëve: Po Shqipëria ku është?

Më 4 nëntor 2026, në 70-vjetorin e shtypjes së Revolucioni...

Më 4 nëntor 2026, në 70-vjetorin e shtypjes së Revolucionit hungarez nga tanket sovjetike, Hungaria bëri publikisht të kërkueshme online një pjesë të rëndësishme të regjistrave të ish-shërbimeve të sigurimit të shtetit. Dokumentet përmbajnë rreth 50–60 mijë emra. Publikimi i dosjeve më të hollësishme të rekrutimit parashikohet deri më 25 shkurt 2027.

Rruga deri këtu ka qenë e gjatë. Në vitin 1997, Hungaria ngriti Zyrën e Historisë; në vitin 2003 krijoi Arkivin Historik të Shërbimeve të Sigurimit të Shtetit, ÁBTL, institucionin homolog me AIDSSH-në. Hapja e sotme zgjeron ndjeshëm aksesin publik në dokumente.

Po Shqipëria?

Përpjekjet tona për t’u përballur me të kaluarën e Sigurimit nisën përpara krijimit të AIDSSH-së. Komisioni Mezini, në vitet 1996–1997, dhe më pas Komisioni Bezhani, në vitet 1997–2001, përfaqësuan etapa të kontrollit të figurës së zyrtarëve dhe kandidatëve për funksione publike. Qasja e asaj periudhe përqendrohej te verifikimi dhe pasojat për ushtrimin e funksioneve publike.

Ligji nr. 45/2015 solli një qasje më të gjerë, duke vendosur në qendër të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Krahas verifikimeve për funksione publike, ai mundësoi njohjen e dokumenteve nga të prekurit dhe familjarët, si dhe përdorimin e tyre për kërkim shkencor e historik.

Ky kuadër është zhvilluar përmes dy ndërhyrjeve ligjore, më 2020 dhe më 2022.

Në vitin 2020, ligji nr. 114/2020 e zgjeroi shprehimisht rolin edukues të Autoritetit dhe i shtoi funksionin e bashkëpunimit për identifikimin e rikuperimin e eshtrave të personave të zhdukur ose të ekzekutuar gjatë komunizmit, si dhe për mbrojtjen e vendvarrimeve.

Në vitin 2022, ligji nr. 72/2022 e zgjeroi më tej aksesin: çdo person fitoi të drejtën të kërkojë njohjen dhe kopje të dokumenteve, në përputhje me ligjin nr. 119/2014 për të drejtën e informimit, sipas kushteve ligjore dhe me mbrojtjen e të dhënave personale. U zgjeruan gjithashtu kompetencat për verifikime administrative lidhur me të zhdukurit dhe u plotësua kuadri i bashkëpunimit për identifikimin e rikuperimin e eshtrave.

Në këtë frymë të zgjerimit të aksesit dhe edukimit publik u zhvillua edhe Mediateka e AIDSSH-së, ku publikohen në vijimësi dokumente me rëndësi historike. Po kësaj qasjeje i shërben platforma “Mësojmë nga e Kaluara” për arsimin parauniversitar, që i sjell burimet arkivore pranë mësuesve dhe nxënësve për të kuptuar diktaturën, të drejtat e njeriut dhe vlerën e lirisë.

Ecuria shqiptare përfshin, kështu, disa etapa: nga kontrolli i figurës te e drejta individuale për të ditur; nga zgjerimi i aksesit për çdo person te qartësimi i fatit të të zhdukurve dhe përdorimi i dokumenteve për edukimin e brezave.

Çfarë na mëson hapi hungarez?

Publikimi i gjerë ka një forcë të rëndësishme demokratike: zvogëlon mundësinë që informacioni të mbahet peng, të përdoret në mënyrë përzgjedhëse ose të shërbejë si mjet presioni.

Por një emër në regjistër është pikënisje për verifikim, jo përfundim për fajësi. Vetë drejtuesi i arkivit hungarez ka paralajmëruar se disa persona të regjistruar mund të mos kenë dorëzuar asnjë raport, ndërsa të tjerë janë rekrutuar përmes shantazhit dhe kërcënimit. Roli i secilit kërkon leximin e dokumenteve dhe njohjen e rrethanave.

Detyrimi nuk e shuan pyetjen për përgjegjësinë, as regjistrimi nuk e provon vetvetiu atë. Prandaj përgjegjësia e institucioneve arkivore eshte të mundësojnë njohjen e së vërtetës por me prova, kontekst dhe respekt për dinjitetin njerëzor.

Për ne, përvoja hungareze është një ftesë për ta çuar më tej diskutimin:

– Si ta bëjmë aksesin publik dhe digjital më të lehtë?

– Si ta shoqërojmë publikimin me verifikim, shpjegim dhe mundësi korrigjimi?

– Si ta mbrojmë dinjitetin e viktimave, duke ndriçuar përgjegjësitë e aparatit të përndjekjes?

Arkivat e Sigurimit dëshmojnë se si një shtet i ktheu qytetarët e vet në objekt dyshimi, mbikëqyrjeje dhe përndjekjeje. Hapja e tyre duhet t’i shërbejë së drejtës për të ditur, drejtësisë dhe edukimit të brezave. Mënyra si i hapim sot tregon se çfarë marrëdhënieje duam të ndërtojmë mes shtetit, së vërtetës dhe qytetarit. Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.