Gazetaria shqiptare është në zi pas ndarjes nga jeta të gazetarit vlonjat Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën e Porto Novës, në Zvërnec. Mehmeti ishte një nga gazetarët më të njohur në Vlorë, duke ndërtuar një karrierë mbi 20-vjeçare në raportimin e ngjarjeve më të rëndësishme të qytetit bregdetar. Gjatë viteve, ai mbuloi zhvillime nga kronika, politika, kultura dhe sporti, ndërsa u dallua për raportimet nga terreni dhe përkushtimin ndaj çështjeve që preknin komunitetin.
Rrugëtimi i tij në gazetari nisi shumë herët. Në vitin 1997, kur ishte vetëm 11 vjeç, ai u angazhua si përkthyes në kampin e operacionit "Alba", ku forcat italiane ndodheshin në Shqipëri për të ndihmuar në rikthimin e rendit pas trazirave. Kjo eksperiencë u bë hapi i parë drejt profesionit që do ta ushtronte me pasion për më shumë se dy dekada.
Me kalimin e viteve, Enrik Mehmeti u kthye në një zë të besueshëm të informacionit në Vlorë, duke fituar respektin e kolegëve dhe besimin e qytetarëve për profesionalizmin dhe korrektësinë në raportim.
Mbrëmjen e së shtunës, ai humbi jetën në një aksident me motor me katër rrota në Porto Novo të Zvërnecit. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se humbi kontrollin e mjetit, i cili u përmbys disa herë. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

