Lajme Zone
Hoxha takon të Dërguarin Special të SHBA-së: Synojmë të thellojmë partneritetin strategjik
PolitikëEuronews Albania

Hoxha takon të Dërguarin Special të SHBA-së: Synojmë të thellojmë partneritetin strategjik

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me të Dërguarin Special të Shteteve të Bashkuara për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ku në fokus ka qenë forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me të Dërguarin Special të Shteteve të Bashkuara për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ku në fokus ka qenë forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit u riafirmua “lidhja e veçantë” mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe angazhimi i përbashkët për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik. Sipas ministrit, krijimi i partneriteteve dhe mundësive të reja të bashkëpunimit kontribuon në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve, rritjen e prosperitetit dhe sjelljen e përfitimeve më konkrete për qytetarët. Hoxha theksoi se Shqipëria synon të zgjerojë bashkëpunimin me SHBA-në në fusha të ndërsjella, veçanërisht në tregti, angazhimin ekonomik dhe rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri. “Për ne, lidhja transatlantike mbetet gurthemeli i sigurisë sonë dhe një spirancë e qëndresës demokratike”, u shpreh Hoxha. Ai shtoi se forcimi i bashkëpunimit dhe krijimi i partneriteteve të reja do të ndihmojë të dyja vendet të përballen më mirë me sfidat e përbashkëta, duke kontribuar në një të ardhme më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë për Shqipërinë dhe SHBA-në.