Kur Evlija Çelebi mbërriti në Elbasan më 1670, e përshkroi me admirim qytetin që gjeti. Më shumë se dy shekuj më vonë, Edith Durham i kushtoi Elbasanit një vëmendje të veçantë në shënimet e saj për Shqipërinë. Dy udhëtarë të epokave të ndryshme panë diçka më shumë se një qytet në rrugën e tyre. Elbasani e kishte mësuar prej kohësh vlerën e të qenit i lidhur. Scampis u zhvillua përgjatë Via Egnatias, rrugës që sillte njerëz, mallra, dije dhe ide. Sot, ndërsa flasim përsëri për reformën territoriale, pyetja që më intereson është tjetër: çfarë qyteti do të jetë Elbasani dhe si do të na lidhë ai me qytetërimin?
Në diskutimin aktual është hedhur ideja e një bashkie Elbasan-Cërrik-Belsh, me 157,387 banorë sipas Censit 2023. Nuk dua të hyj në debatin nëse bashkimi është zgjidhja e duhur. Më intereson ajo që vjen pas vijave në hartë: çfarë jete do të krijojmë brenda tyre? Elbasani ka traditën industriale, universitetin dhe shërbimet; Cërriku bujqësinë dhe potencialin industrial; Belshi e Dumreja liqenet, bujqësinë dhe turizmin; Llixhat një pasuri termale që mund të zhvillohet më shumë. Të lidhësh universitetin me industrinë, fermerin me tregun, turizmin me prodhimin vendas dhe të riun me punën do të ishte Via Egnatia jonë e shekullit XXI. Dikur rruga lidhte Elbasanin me botën; sot duhet të dimë të lidhim më mirë atë që kemi mes nesh.
Por kjo lidhje nuk është vetëm ekonomike. Në Birminghamin e shekullit XIX, George Dawson zhvilloi idenë e “Ungjillit Qytetar”, duke e lidhur përparimin e qytetit me përgjegjësinë ndaj komunitetit. Elbasani ka nevojë për diçka të ngjashme, por të vetën: një etikë qytetare elbasanase, që të shihet në marrëdhënien tonë me hapësirën publike, institucionet dhe pasuritë që kemi trashëguar.
Mjafton të shohim Shkumbinin. Për dekada kemi pranuar ndotjen dhe largimin e lumit nga jeta e përditshme e qytetit. Ta rikthesh Shkumbinin te Elbasani do të thotë ta mendosh përsëri si pjesë të jetës së tij: me brigje të pastra, hapësira për ecje e biçikleta dhe vende për familjet. Nga Parku Rinia te Shkumbini, nga Llixhat drejt liqeneve të Belshit, një territor bëhet vërtet i përbashkët kur njerëzit e jetojnë dhe kujdesen për të.
Kjo vlen edhe për kulturën. Sot jemi ende shumë larg atij qytetërimi shekullor që Kalaja na e përcjell me zërin e saj të heshtur. Ajo nuk është vetëm dëshmi e së shkuarës, por kujtesa e një qyteti që ka ditur të krijojë, të bashkëjetojë dhe të komunikojë me botën. Trashëgimia, megjithatë, nuk mjafton. Universiteti, teatri, xhamia, kisha, institucionet kulturore dhe vetë jeta publike duhet të tregojnë çfarë kulture jemi në gjendje të prodhojmë sot. Një qytet e nderon të shkuarën kur krijon diçka që meriton t'i shtohet asaj.
Vazhdimi i kësaj historie janë të rinjtë. Nëse Elbasani nuk u jep mundësi për punë, dije, kulturë dhe një jetë dinjitoze, mund ta zgjerojë territorin ndërsa zvogëlon të ardhmen e vet. Nuk ka shumë kuptim t'u kërkojmë të rinjve të mos largohen; duhet të krijojmë kushtet që qëndrimi të jetë një zgjedhje reale. Nëse territori zgjerohet, a do të shohë një i diplomuar në Cërrik, Belsh apo në një fshat të kësaj hapësire një të ardhme të jetueshme për veten, apo thjesht një administratë më të madhe?
Sepse ndoshta kufijtë më të mëdhenj nuk janë ata që vizatohen në hartë. Janë muret dhe barrierat që kemi ngritur në mendjen tonë, deri te bindja se “këtu nuk jetohet më”. Sfida nuk është vetëm të zgjerojmë një bashki, por të zgjerojmë horizontin e mundësive brenda saj. Kufijtë administrativë mund të ndryshohen me ligj; shumë më e vështirë është të ndryshosh bindjen e një brezi se e ardhmja e tij gjendet gjithmonë diku tjetër.
Për këtë arsye, banori i Cërrikut, Belshit apo i një fshati të largët nuk duhet të ndihet më larg vendimmarrjes vetëm sepse territori është bërë më i madh. Strategjia mund të jetë e përbashkët; shërbimi duhet të mbetet pranë qytetarit. Sa më i madh territori, aq më serioze bëhet pyetja se kush vendos për të dhe si përfaqësohet qytetari.
Këtu Këshilli Bashkiak nuk është një hollësi administrative. Këshilltarë të Elbasanit që kanë vizituar Prizrenin tregojnë se atje një këshilltar kompensohet rreth 800 euro në muaj, ndërsa drejtuesi i një komisioni rreth 1,500 euro; në Elbasan kompensimi është rreth 150 euro. Nuk e sjell këtë krahasim për të hapur një debat mbi pagat. Çështja është nëse një mandat me përgjegjësi të mëdha trajtohet me seriozitetin dhe kushtet që i duhen për t'u ushtruar me dinjitet dhe pavarësi.
Kur një këshilltar shqyrton buxhete, urbanistikë, kontrata dhe pronën publike, nuk mjafton mandati politik. Duhet përgatitje, nivel profesional e intelektual dhe pavarësi në gjykim. Këshilli Bashkiak nuk mund të jetë vendi ku thjesht ngrihet dora; duhet të jetë vendi ku diskutohet, kontrollohet dhe, kur interesi publik e kërkon, thuhet edhe jo. Rasti i Castellammare di Stabia, ku këshilli bashkiak u shpërnda në korrik 2026 pasi autoritetet italiane konstatuan ndërhyrje të kriminalitetit të organizuar që kishin cenuar mirëfunksionimin dhe paanshmërinë e administratës vendore, kujton rëndësinë e institucioneve të forta dhe të pavarura.
Në këtë pikë reforma territoriale pushon së qeni vetëm çështje harte. Ajo bëhet një bisedë për ekonominë, kulturën, institucionet dhe, në fund, për ne vetë. Një territor që lidh Elbasanin, Cërrikun dhe Belshin ka kuptim nëse lidh dijen me punën, qytetin me lumin, institucionin me qytetarin dhe të sotmen me atë që duam t'u lëmë atyre që vijnë pas nesh.
Edhe ne, elbasanllinjtë, duhet të ndryshojmë diçka në marrëdhënien me qytetin tonë. Urtësia nuk duhet të bëhet rehati dhe maturia nuk duhet të na mbajë gjithmonë mënjanë. Elbasani nuk ndërtohet vetëm nga bashkia apo projektet; ndërtohet çdo ditë edhe nga njerëzit që jetojnë në të.
Atëherë edhe emri ynë i vjetër, “qyteti i luleve”, nuk mbetet vetëm një kujtim i bukur. Ai bëhet një mënyrë për të menduar një Elbasan që respekton atë që ka trashëguar pa jetuar vetëm prej së shkuarës; që lidhet me botën, por ka edhe diçka të vetën për t'i dhënë asaj. Sepse qytetërimi nuk matet vetëm me atë që kemi marrë nga të parët. Matet edhe me atë që jemi në gjendje t'u lëmë atyre që vijnë pas nesh.
Dikur horizontin e Elbasanit e hapte Via Egnatia. Sot, nëse të tjerët e kanë ndërtuar ëndrrën e tyre mbi qytetin në kodër, le ta ndërtojmë ne tonën mbi qytetin dhe lumin. Ndoshta ky është horizonti i Elbasanit. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

