Gjykata e Durrësit ka liruar dy protestuesit, Albi Dema dhe Edison Likaj, të arrestuar pas incidentit me eskortën e kryeministrit Edi Rama në Manëz. Trupi gjykues ka vlerësuar si të paligjshëm arrestimin e tyre në flagrancë dhe ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë. Dema dhe Likaj u arrestuan nga Policia të shtunën, pasi dyshohet se morën pjesë në protestën gjatë së cilës u hodhën vezë dhe sende të forta në drejtim të automjeteve të eskortës së kryeministrit. Vendimi i gjykatës u mor pas seancës për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa pranë ambienteve të gjykatës kishin mbërritur edhe të afërm të dy protestuesve, të cilët prisnin vendimmarrjen.
