Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, ku falenderoi dhe përgëzoi punonjësit e Policisë, për punën e kryer, përkushtimin dhe rezultatet e arritura në parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale. Gjatë takimit, Hita vlerësoi veçanërisht punën hetimore dhe operacionale të strukturave policore, falë së cilës u bë i mundur parandalimi i dy ngjarjeve shumë të rënda kriminale, duke shmangur rrezikun për jetën e qytetarëve. “Parandalimi i dy ngjarjeve shumë të rënda kriminale është rezultat i punës, përkushtimit, motivimit dhe vendosmërisë suaj. Keni arritur të identifikoni dhe të kapni persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët dyshohet se do të vepronin ndaj personave konkretë. Edhe ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, me lëndë eksplozive në qytetin tuaj, është dokumentuar dhe hetimet kanë ecur në drejtimin e duhur. Të gjitha këto rezultate shërbejnë për të fituar besimin e qytetarëve dhe për të dhënë më të mirën për këtë qytet”, u shpreh Hita. Gjithashtu, ai kërkoi që i njëjti përkushtim dhe vendosmëri të vijojnë edhe në përmbushjen e detyrave të tjera, duke vënë theksin veçanërisht te siguria në shkolla. “Siguria në shkolla dhe perimetri i sigurisë në këto institucione janë të pazëvendësueshme. Dua të përkushtoheni më shumë dhe të kërkoni më shumë nga vetja, në mënyrë që rastet e shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, të marrin goditjen e duhur edhe nga ana juaj. Dua që rezultatet e mira që keni arritur të vijojnë dhe të shoqërohen me vëmendje edhe më të shtuar nga të gjithë ju”, theksoi ai. Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi konsolidimin e mëtejshëm të strukturave të DVP Lezhë, duke i inkurajuar punonjësit e Policisë që të vijojnë me profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe vendosmëri në përmbushjen e misionit të tyre për sigurinë e qytetarëve në të gjithë qarkun. Drejtori i DVP Lezhë, Drejtues i Parë Ermal Muçaj, falenderoi Drejtorin e Përgjithshëm, për mbështetjen e vazhdueshme me efektivë dhe mjete, duke garantuar se strukturat vendore do të vijojnë të japin maksimumin për përmbushjen e detyrave.
