Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Euronews Albania me gazetaren Esmeralda Mulaj, Burim Gashi ka rrëfyer historinë prekëse të djalit të tij, Jonit, i cili, pas një sfide të rëndë shëndetësore, gjeti forcë dhe motivim te mbështetja e Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Duke qenë se Joni është një tifoz i zjarrtë i Kombëtares, Gashi rrëfeu momentin kur i ka shkruar Federatës Shqiptare të Futbollit për të kërkuar mundësinë që lojtarët e Kombëtares të takoheshin me të ose të kishin një kontakt. Ai theksoi se përgjigjja nga FSHF-ja ishte e menjëhershme, pasi brenda tre orësh mesfushori Kristjan Asllani i dërgoi një video motivuese. “Ne jemi nga Kosova, vijmë nga Prishtina, por që 30 vite jetoj në Gjermani dhe Joni është i lindur dhe i rritur në Gjermani. Joni ka qenë që para sëmundjes një tifoz i flaktë për kombëtaren tonë. Edhe në ato momente shumë të vështira kur Joni u diagnostikua me kancer në tru, atëherë u desh të shtrohej në operacion urgjent. Në ato momente të vështira, goca e dytë i shkoi mendja t’i shkruajë Kombëtares. Tha se djali i do shumë dhe mbasi të kalojë operacionin do të gëzohet shumë kur të shohë Asllanin ose të tjerët t’i urojnë ose të flasin për Jonin. I kishte shkruar Federatës Shqiptare, të cilën e falënderoj jashtëzakonisht me zemër, pasi kanë bërë një punë shumë të mrekullueshme për mua dhe familjen time. Brenda pak minutave na e kthyer përgjigjen: “Patjetër do ta bëjmë!” Me një shpejtësi të madhe, Asllani u paraqit pas tre orësh dhe dërgoi videon e tij, e cila na bëri të gjithëve emocionalë. Joni filloi të qante menjëherë, aq shumë u bë emocional. Megjithatë, për këtë arsye e bëmë atë lutje te Federata, sepse donim ta bënim të lumtur. Federata e Shqipërisë u paraqit jashtëzakonisht për ne si familje”, u shpreh ai. Sakaq, Gashi theksoi se lojtarët e Kombëtares nuk e ndërprenë kontaktin me Jonin aty, duke shtuar se Federata e ftoi atë të merrte pjesë në një ndeshje, e cila ishte përballja me Bjellorusinë. “Nuk ishte vetëm ajo ditë, ata vazhduan të bëhen pjesë e familjes sonë gjatë gjithë rrugëtimit. Na kanë mbështetur gjatë tërë kohës duke na pyetur se si është Joni. Ne ndërkohë u kemi kërkuar edhe një video nga Asllani më vonë për ta motivuar edhe pak më shumë Jonin, dhe na dërguan videot e të gjithë lojtarëve. Ajo ishte kënaqësi e madhe për ne. Joni ishte jashtëzakonisht i lumtur, ishte një moment shumë emocional. Papritur morëm një mesazh nga Federata që donin ta ftonin Jonin për një ndeshje. Vendosëm të vinim për ndeshjen me Bjellorusinë. Unë jam tepër i habitur se çfarë respekti na kanë bërë. Jam pa komente, jam njeriu më i lumtur që kisha mundësinë t’i shoh për së afërmi dhe të përjetoj atë respekt e kënaqësi kaq të madhe nga Federata jonë. Unë s’mund t’i shpërblej, por Zoti i shpërbleftë në mënyrën më të mirë e më të bukur. Janë çuna të mrekullueshëm, kanë bërë një gjest human sikur të ishte vëllai i tyre, jo thjesht një tifoz. S’kam komente. Zoti i ruajtur, vetëm përpara me shëndet e fitore”, u shpreh babi i Jonit.
