35 vjet pas vdekjes së Freddie Mercury-t, Mary Austin ka folur në një intervistë të rrallë për marrëdhënien e tyre, vitet e fundit të këngëtarit të Queen dhe kujtimet që ajo ka ruajtur për dekada.
Në një intervistë të gjatë për The Guardian, Austin rikthehet te historia e saj me Mercury-n, të cilin e takoi në Londër në vitin 1970, kur ai ishte ende në fillimet e karrierës muzikore.
Ata nisën si miq, u bënë të dashur dhe për disa vite jetuan së bashku. Çifti u fejua, por marrëdhënia ndryshoi pasi Mercury i tregoi Austin-it se ishte homoseksual.
“Mendoj se jam biseksual”, i kishte thënë ai.
“Jo, Freddie, mendoj se je gej”, i ishte përgjigjur Austin.
Ndarja romantike nuk e mbylli marrëdhënien e tyre. Përkundrazi, sipas Austin-it, ajo u shndërrua në një miqësi shumë të thellë. Ajo mbeti një prej njerëzve më të besuar të Mercury-t gjatë viteve të famës së Queen dhe ishte pranë tij edhe gjatë periudhës së fundit të jetës.
Në vitin 1985, Mercury e kishte përshkruar Austin-in si të vetmen shoqe që kishte dhe si një person nga i cili nuk dëshironte të ndahej.
Kur Mercury u sëmur me AIDS, Austin ishte ndër njerëzit që e dinin të vërtetën. Ajo ishte pranë tij në ditët e fundit. Sipas rrëfimit të saj për The Guardian, një ditë para vdekjes së tij, ajo i mbante dorën ndërsa Mercury, nën efektin e morfinës, herë humbte dhe herë rifitonte vetëdijen.
Në një prej momenteve të fundit, ai i tha: “My old faithful.”
Mercury vdiq më 24 nëntor 1991, në moshën 45-vjeçare.
Pas vdekjes së tij, Austin trashëgoi Garden Lodge, shtëpinë e Mercury-t në Kensington, si edhe një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij. Ajo ruajti gjithashtu për dekada një prej sekreteve më personale të këngëtarit: vendndodhjen e hirit të tij.
Mercury i kishte kërkuar që të mos e tregonte kurrë.
“Është ajo që ai më kërkoi të bëja. Dhe e bëra”, tregon Austin.
Një tjetër kapitull i rrallë i historisë së tyre lidhet me arkivin personal të Mercury-t. Për vite me radhë, Austin mbajti në papafingo kuti me sendet e tij. Kur i hapi në vitin 2022, gjeti mes tyre dorëshkrime dhe tekste të shkruara me dorë, përfshirë materiale të lidhura me këngë si Bohemian Rhapsody, Killer Queen dhe We Are the Champions.
Koleksioni u nxor më vonë në ankand nga Sotheby’s dhe arriti rreth 40 milionë paund.
Por për Austin-in, vlera e këtyre sendeve nuk lidhej vetëm me çmimin e tyre. Ajo thotë se vendosi t’i nxirrte në dritë edhe në mënyrë që fansat e Mercury-t të mund t’i shihnin.
Dhe kur pyetet nëse Freddie Mercury ishte dashuria e jetës së saj, përgjigjja e saj mbetet e drejtpërdrejtë:
“Duke parë prapa, deri tani, po. Ai është dashuria e jetës sime.”
Rrëfimi vjen në prag të 80-vjetorit të lindjes së Freddie Mercury-t, më 5 shtator, dhe përkon me publikimin e librit Freddie Mercury: A Life in Lyrics, i cili përmban dorëshkrime, tekste dhe kujtime të lidhura me krijimtarinë e këngëtarit.
Burimi: The Guardian

