Shkulja e pllakës përkujtimore të Aleks Nikës gjatë protestës së 25 tetorit në Tiranë ka rikthyer dhimbjen te familjarët e tij, të cilët prej 21 janarit 2011 presin drejtësi për vrasjen e të afërmit të tyre. Xhaxhai i Aleksit, Mark Nika, deklaroi se nuk e di se kush e ka hequr pllakën nga vendi ku nipi i tij u vra, por e cilësoi këtë veprim si një goditje tjetër për familjen, që kërkon të mos fshihet kujtimi i asaj ngjarjeje tragjike.
“Ne e dimë kush janë vrarësit, SPAK po e heton çështjen dhe i bëjmë thirrje që vrasësit të shkojnë para drejtësisë dhe të mos bredhin sërish si në parlament, si jashtë saj”, u shpreh Mark Nika. Ai tha se lajmin për heqjen e pllakës e kishte mësuar nga mediat, duke shtuar se familja e përjeton këtë ngjarje si një ditë të rëndë. “Aleksi nuk kthehet më. Kur vinim në Tiranë e kujtonim ku është vrarë dhe pse është vrarë”, deklaroi ai.
Mark Nika shprehu bindjen se pllaka do të rivendoset dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që hetimet për vrasjen e 21 janarit të përshpejtohen. Familja e Aleks Nikës vijon të kërkojë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, ndërsa heqja e pllakës përkujtimore ka rihapur debatin mbi kujtesën e viktimave të 21 janarit dhe pritjen e gjatë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

