Është hedhur shorti në Prokurorinë e Tiranës për dosjen e video-skandalit që lidhet me kompozitorin Adi Hila. Çështja do të hetohet nga prokurori Julian Xhengo. Në kuadër të hetimit janë depozituar dy kallëzime në polici, njëri nga Hila për pretendim të hakerimit dhe tjetri nga këngëtarja Eli Fara për shkelje të privatësisë.
Mbi bazën e kallëzimeve, hetimi përfshin veprat penale të hyrjes së paautorizuar kompjuterike, përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimit të pajisjeve kompjuterike. Ndërkohë, aktorja Monika Lubonja ka bërë me dije se ka depozituar kallëzim penal ndaj Hilës. Prokuroria ka shtuar në hetim edhe veprën penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, pas konstatimit se hard-disku i sekuestruar gjatë hetimeve ishte dëmtuar.
Sipas informacioneve të bëra publike, Hila ka deklaruar se hard-diskun e kishte dëmtuar vetë, pasi kishte pasur frikë nga ndërhyrje të tjera në të dhënat e tij. Tashmë, pas hedhjes së shortit, dosja do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo, ndërsa pritet që Prokuroria e Tiranës t’ia delegojë çështjen sërish policisë për kryerjen e veprimeve hetimore dhe mbledhjen e provave të nevojshme.

