Lajme Zone
HEC-i i Paqsor Buzit lë 92 familje pa ujë prej 4 muajsh, banorët protestojnë para Bashkisë së Elbasanit
EkonomiJOQ Albania

HEC-i i Paqsor Buzit lë 92 familje pa ujë prej 4 muajsh, banorët protestojnë para Bashkisë së Elbasanit

92 familje në Fushë-Buall të Elbasanit kanë mbetur pa ujë të pijshëm prej katër muajsh, ndërsa banorët kanë dalë sot në protestë para Bashkisë, duke kërkuar zgjidhjen e një problemi që po ua vështirëson jetesën e përditshme.

92 familje në Fushë-Buall të Elbasanit kanë mbetur pa ujë të pijshëm prej katër muajsh, ndërsa banorët kanë dalë sot në protestë para Bashkisë, duke kërkuar zgjidhjen e një problemi që po ua vështirëson jetesën e përditshme.

Sipas banorëve, shkak janë bërë punimet për ndërtimin e hidrocentralit nga kompania koncesionare “Egnatia Hydropower”, e lidhur me biznesmenin Paqsor Buzi. Ata pretendojnë se punimet kanë dëmtuar dhe devijuar burimet natyrore të ujit, duke ndërprerë furnizimin për familjet e zonës.

Situata është veçanërisht e vështirë për banorët, të cilët, sipas raportimeve mediatike, janë detyruar ta blejnë ujin e pijshëm ose ta sigurojnë në burimet e fshatrave përreth. Banorët thonë se i janë drejtuar institucioneve përkatëse për zgjidhjen e problemit, por furnizimi me ujë ende nuk është rikthyer. Për këtë arsye, ata kërkojnë ndërhyrje konkrete nga Bashkia e Elbasanit dhe institucionet përgjegjëse, në mënyrë që 92 familjet të mos vijojnë të përballen me mungesën e një prej nevojave më themelore.

Emri i Paqsor Buzit nuk është i panjohur për JOQ Albania. Për vite me radhë, redaksia jonë ka raportuar për aktivitetin e tij në fushën e ndërtimit dhe për kontratat e majme publike të përfituara nga kompania “G.P.G. COMPANY”. Në një artikull të tetorit 2020, JOQ Albania ka raportuar se kompania e tij kishte përfituar rreth 93 milionë euro nga tenderët publikë gjatë tetë viteve pararendëse. Në qershor 2024, redaksia jonë ka ngritur pikëpyetje për një tjetër tender, me vlerë rreth 880 milionë lekë të vjetra me TVSH, të lidhur me mbrojtjen nga lumi Vjosë në Kashisht, ndërsa në raportimin e fundit, të publikuar javën e kaluar, vëmendja u përqendrua te një procedurë prej rreth 12 milionë eurosh për rrugën e Kombinatit. Tashmë, emri i biznesmenit del në një çështje që prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve. Këtë herë, nuk bëhet fjalë për tenderë apo miliona euro nga fondet publike, por për 92 familje në Fushë-Buall që denoncojnë se kanë mbetur pa ujë të pijshëm prej katër muajsh, si pasojë e dëmtimit të burimeve natyrore gjatë punimeve për ndërtimin e HEC-it të “Egnatia Hydropower”.

Banorët kërkojnë që institucionet të hetojnë situatën, të përcaktojnë përgjegjësitë dhe të marrin masa konkrete për rikthimin e ujit. Pyetja që shtrohet tashmë është se kur do të marrë zgjidhje problemi i këtyre familjeve dhe nëse institucionet përgjegjëse do të ndërhyjnë për të garantuar një nevojë kaq jetike për banorët e zonës.