Liceu Francez i Korçës do të jetë një institucion publik arsimor, ku mësimi do të zhvillohet në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka bërë të ditur detajet mbi organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni, i cili do të jetë pjesë e rrjetit të liceve franceze në botë.
Sipas saj, shkolla do të funksionojë në përputhje me legjislacionin shqiptar, ndërsa drejtimi do të ndahet mes autoriteteve arsimore shqiptare dhe franceze.
Në përfundim të klasës së 12-të, nxënësit që përmbushin kriteret dhe kalojnë provimet do të pajisen me dy diploma, atë shqiptare dhe franceze. Liceu do të jetë pa pagesë për shtetasit shqiptarë, ndërsa tarifë do të aplikohet vetëm për nxënësit e huaj. “Liceu do të ketë tre organe kryesore drejtuese. Ky këshill mbikëqyr mbarëvajtjen e institucionit, emëron drejtorin dhe zëvendësdrejtorin. Drejtori i Liceut emërohet nga Ministria e Arsimit e Francës, kurse zëvendësdrejtori emërohet nga ministria jonë. Franca ruan rolin e saj. Liceu Francez i Korçës do të futet në hartën e liceve franceze nëpër botë, që janë shkolla ekselence. Liceu funksionon në përputhje me rendin e Republikës së Shqipërisë. Do të jetë një shkollë e arsimit të mesëm dhe të lartë. Ulen në të njëjtën tryezë të gjithë ata që preken nga jeta arsimore e këtij liceu. Do të ketë një përfaqësues të kurrikulës franceze dhe një përfaqësues të kurrikulës shqiptare. Do të ketë 2 prindër dhe tre nxënës. Mësimi do të zhvillohet në shqip, frëngjisht dhe anglisht. Në përfundim të klasës 12, kush do të dalë fitues në provime do të marrë dy diploma. Gjuha shqipe dhe letërsia mbeten një provim i detyrueshëm. Liceu Francez i Korçës është një institucion publik. Kandidatët duhet të kenë mbaruar arsimin bazë dhe të kenë njohuri në gjuhën frënge, sipas nivelit të kërkuar. Ky lice është falas për shtetasit shqiptarë, tarifa e tij do të përdoret vetëm për shtetasit e huaj”, tha ministrja Kumbaro. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet Liceu Francez i Korçësmirela kumbaro
