Një zjarr i fuqishëm që shpërtheu pasditen e së dielës në Salaminë të Greqisë ka marrë një kthesë tragjike, pasi autoritetet kanë gjetur trupat e dy personave në zonën e Peristerisë, pranë vendit ku dyshohet se ka nisur flakët.
Sipas informacioneve paraprake, viktimat janë një çift të moshuarish, të cilët dyshohet se ndodheshin jashtë banesës së tyre në momentin kur zjarri përfshiu zonën.
Raportimi i parë për zjarrin është bërë nga një banor i rrugës Andromachis. Sipas dëshmisë së tij, flakët nisën në një parcelë toke pranë rrugës, ku kishte një sasi të madhe mbeturinash. Intensiteti i zjarrit është përshkruar nga autoritetet greke si jashtëzakonisht i madh. Flakët kanë përfshirë banesa në Peristeria, ndërsa një front i dytë vijon të jetë aktiv në zonën e Selinisë.
Katër persona me djegie janë marrë nga zona e Peristerisë dhe janë transportuar në Qendrën Shëndetësore të Salaminës. Ata ndodhen jashtë rrezikut dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, një burrë i moshuar është dërguar në qendrën shëndetësore pasi u shpëtua nga banesa e tij në zonën e Kaki Viglas.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 92 zjarrfikës, 24 automjete, pesë ekipe të EMODE-s së parë dhe një numër i madh vullnetarësh. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *AnashAktualitetRajoni

