Lajme Zone
Grabiti orën luksoze me vlerë 260 mijë euro në Tokio, hajduti e kthen disa ditë më vonë me një letër kërkimfaljeje
BotëGazeta Tema

Grabiti orën luksoze me vlerë 260 mijë euro në Tokio, hajduti e kthen disa ditë më vonë me një letër kërkimfaljeje

Një vjedhje spektakolare në Tokio ka marrë një kthesë të pazakontë. Një burrë që arriti të largohej nga një dyqan me një orë luksoze me vlerë mbi 260 mijë euro, e ka kthyer atë disa ditë më vonë, të shoqëruar me një letër ku kërkonte falje.

Ngjarja ndodhi në lagjen Nakano, ku personi u paraqit si klient dhe kërkoi të provonte një orë të markës prestigjioze zvicerane Audemars Piguet. Bëhej fjalë për një model me vlerë 46 milionë jen, rreth 260 mijë euro.

Por, në vend që t'ia kthente orën shitësit, burri u largua nga dyqani duke e mbajtur atë në dorë. Stafi kuptoi se bëhej fjalë për një vjedhje dhe njoftoi autoritetet.

Ajo që askush nuk priste ndodhi më 1 nëntor. Në dyqan mbërriti një pako që përmbante pikërisht orën e zhdukur, së bashku me një letër të shkruar me dorë, ku kërkohej falje për veprimin.

Numri serial konfirmoi se ora ishte e njëjta që ishte grabitur. Megjithatë, misteri mbetet: përse hajduti vendosi ta kthente një objekt me vlerë kaq të madhe dhe kush qëndron pas këtij veprimi?

Sipas mediave japoneze, pakoja ishte dërguar nga prefektura Aichi, ndërsa policia e Tokios vijon hetimet për identifikimin dhe gjetjen e të dyshuarit. Deri tani, nuk dihet nëse ai është penduar apo nëse ka pasur ndonjë arsye tjetër për kthimin e orës.

Ky nuk është rasti i vetëm në atë zonë. Në gusht, nga një tjetër dyqan në të njëjtën qendër tregtare u vodhën katër ora luksoze, me vlerë të përgjithshme mbi 1.13 milionë euro.