Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Clean School”, duke goditur një grup të dyshuar për shpërndarjen e lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në qarkun e Fierit.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar katër persona, të moshave 25 deri në 52 vjeç, ndërsa një tjetër, 38 vjeç, është shpallur në kërkim policor.
Operacioni është zhvilluar pas një hetimi disa mujor nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit. Në bazë të provave të siguruara gjatë hetimeve, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për pesë shtetas. Deri më tani janë ekzekutuar katër prej këtyre masave, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e të arrestuarve, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar 2.9 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, dy peshore elektronike dhe katër aparate celularë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në vijim të hetimeve. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet arrestimfier

