Lajme Zone
“Gjyqtarët i lejojnë, ne jo”/ Refuzoi të dorëzonte telefonin para se të hynte në sallën e GJKKO, avokati gjobitet me 50 mijë lekë
TeknologjiTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

“Gjyqtarët i lejojnë, ne jo”/ Refuzoi të dorëzonte telefonin para se të hynte në sallën e GJKKO, avokati gjobitet me 50 mijë lekë

Avokati Dorian Matlija ka denoncuar një incident të ndodhur gjatë ditës së sotme në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku sipas tij nuk është lejuar të hyjë në sallën e gjyqit pasi ka refuzuar të dorëzojë telefonin.

Avokati Dorian Matlija ka denoncuar një incident të ndodhur gjatë ditës së sotme në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku sipas tij nuk është lejuar të hyjë në sallën e gjyqit pasi ka refuzuar të dorëzojë telefonin. Përmes një reagimi publik, Matlija ka ngritur shqetësimin për zbatimin e rregullores së re për sigurinë, rendin dhe solemnitetin në GJKKO, e cila, sipas tij, parashikon ndalimin e hyrjes së avokatëve në sallë me telefon celular.

Sipas avokatit, rregullorja lejon përdorimin apo mbajtjen e pajisjeve të tjera elektronike, si laptopët dhe tabletët, ndërsa telefoni celular nuk lejohet. Matlija pretendon gjithashtu se rregulli nuk zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjithë, duke iu referuar prokurorëve, të cilët, sipas tij, hyjnë në sallë me telefona.

Incidenti, sipas rrëfimit të tij, ndodhi teksa ai ishte duke u përgatitur të merrte pjesë në një seancë gjyqësore. Matlija thotë se, pasi refuzoi të dorëzonte telefonin, nuk u lejua të kalonte në sallë, edhe pse gjykata ishte vënë në dijeni për praninë e tij.

Avokati pretendon se gjyqtarja e çështjes, pasi u vu në dijeni për situatën, e konsideroi të arsyeshëm shqetësimin e tij dhe deklaroi se edhe ajo kishte nevojë për telefonin për arsye pune. Megjithatë, sipas Matlijës, pas konsultimit me prokurorin A.D., iu komunikua se rregulli duhej zbatuar dhe se ai mund ta kundërshtonte vendimin në rrugë ligjore.

Matlija pretendon se më pas Prokuroria kërkoi vendosjen e një gjobe prej 50 mijë lekësh ndaj tij, masë që, sipas avokatit, u pranua nga gjykata.

Në reagimin e tij, Matlija e ka kundërshtuar këtë masë dhe ka bërë të ditur se ka depozituar ankim. Ai argumenton se rregullorja ka karakter administrativ dhe se, kur masat e saj lidhen me zhvillimin e një seance gjyqësore, vendimmarrja i takon trupit gjykues.

Avokati ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, po zbatohet rregullorja në GJKKO, duke pretenduar se në praktikë rojet e sigurisë kanë marrë kompetenca që ndikojnë në zhvillimin e seancave gjyqësore.

Në fund të reagimit, Matlija ka deklaruar se pret që disa prej dispozitave të rregullores të rrëzohen në të ardhmen, pasi sipas tij ato cenojnë ushtrimin e profesionit të avokatit dhe, në raste të tjera, edhe punën e gazetarëve.

Deri në këtë fazë, pretendimet e ngritura nga avokati janë pjesë e reagimit të tij publik, ndërsa ankimi i paralajmëruar prej tij pritet të shqyrtohet nga organet kompetente.

Postimi i Matlijës: “Një histori gazmore me telefona, roje dhe drejtësi të posaçme…

Kam kohë që them publikisht se Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme janë ndër organet e drejtësisë me më pak standarde në Shqipëri. Dhe thagmat nuk kanë të sosur.

Sot ishte radha ime që të ndeshesha me rregulloren e re për sigurinë, rendin dhe solemnitetin në GJKKO, e cila, mes të tjerash, ndalon në mënyrë absurde avokatin të hyjë në sallë me telefon. Kurse laptopët e tabletët lejohet në sallë sipas Rregullores që rojet e sigurisë, të shkretët, nuk dinin si t’ia bënin kur avokati merrte anën te gjysma e korridorit ku ka sallat Gjykata e Apelit, e cila i lejon telefonat për bukuri. Kurse te kjo GJKKO-ja e famshme e shkallës së parë, Prokurorët, si kafshë më të barabarta se të tjerat, futen brenda me telefon. Por avokati jo. Dhe të mendosh që as Gjykata e Lartë dhe as Gjykata Kushtetuese nuk ndaloknë telefonin ta mbash me vete. Thjesht të thonë me mirësjellje që hiq zilen. Por GJKKO e shkallës së parë ha bukë veç. Dhe ka edhe komentar të rregullores, a thua se rregullorja e vet është ndonjë kod procedure 200 vjeçar me mjekërr të bardhë.

Unë isha fizikisht pas derës, gati për të bërë mbrojtjen, por nuk u lejova të hyja sepse refuzova të dorëzoja telefonin. Dhe nuk është se po më dukej vetja si Isa Boletini kur i këkuan të dorëzonte armët teksa hynte në ndërtesën e Ministrisë së Jashtme Britanike. Thjesht po më dukej vetja krejt i zakonshëm, në nje gjykatë krejt të zakonshme. Gjykata u njoftua që isha aty dhe gjyqtarja brenda në seancë madje u shpreh se shqetësimi ishte i drejtë dhe se vetë asaj i duhej telefoni po për të njëjtat arsye pune. Por pastaj, pasi u konsultua me prokurorin A.D., që shpesh ligjet e rregullat i lexon në një dimension të vetëm, siç lexon spata kopaçen, erdhi edhe sentenca institucionale e ditës që “rregulli është rregull” dhe ankohu sipas ligjit.

Në fakt, vetë Rregullorja e thotë se masat e saj janë administrative dhe se, kur kanë të bëjnë me zhvillimin e gjykimit, prevalon vendimmarrja e trupit gjykues në sallë. Pra me ligj gjyqtari drejton seancën. Por në praktikë, roja te dera ka marrë më shumë fuqi, kurse prokurorit fuqia i vjen anash.

Dhe pastaj vjen pjesa më e bukur, që prokuroria, e cila vetë hyn serbes në sallë me telefon, kundër Rregullores, kërkon gjobitjen time me 50 mijë lekë, për të më dhënë mua heretikut një leksion. Gjykata e pranon.

Sigurisht që bëra ankim dhe jam mjaft i bindur që në një të ardhme jo të largët këto copëza të Rregullores, që cenojnë avokatët dhe pastaj edhe gazetarët për shumë arsye, do të bien si tjegulla njëra pas tjetrës. Por deri atëherë do kemi një gjykatë që do vazhdojë të mbulojë kokën krijuese të rregullores nën hijen e një burokracie që ka harruar se kush administron godinën dhe kush administron drejtësinë”. Top Channel