Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë në SHBA ka pezulluar vendimin që detyronte administratën amerikane të rihapte regjistrimet për Lotarinë Amerikane të Green Card për vitin 2027. Sipas Newsweek, trupa gjykuese pranoi kërkesën urgjente të qeverisë amerikane për të pezulluar vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte urdhëruar Departamentin e Shtetit të hapte aplikimet përpara datës 1 nëntor.
Vendimi i ri i jep mundësi administratës Trump të mbajë të pezulluar procesin e aplikimeve, ndërsa vijon shqyrtimi i ankimit. Gjykata argumentoi se pala që kishte ngritur padinë nuk kishte paraqitur prova dhe argumente të mjaftueshme për të justifikuar të drejtën ligjore për të kundërshtuar pezullimin e programit.
Megjithatë, çështja nuk është mbyllur përfundimisht dhe vendimi nuk nënkupton anulimin e përhershëm të Lotarisë Amerikane. Programi i Vizave të Diversitetit parashikon dhënien e deri në 55 mijë vizave në vit për shtetasit e vendeve me nivele të ulëta emigrimi drejt SHBA-së. Deri më tani, nuk është bërë e ditur një datë e re për hapjen e regjistrimeve për vitin 2027.

