Lajme Zone
“Gjuajtën me shishe uji dhe vezë, u dëmtua punonjësi i Gardës”, përjashtimi për 60 ditë i Bardhit dhe Balliut nga punimet e Kuvendit, zbardhen argumentet
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

“Gjuajtën me shishe uji dhe vezë, u dëmtua punonjësi i Gardës”, përjashtimi për 60 ditë i Bardhit dhe Balliut nga punimet e Kuvendit, zbardhen argumentet

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend ka vendosur përjashtimin e deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, për 60 ditë kalendarike nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe komisionet parlamentare.

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend ka vendosur përjashtimin e deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, për 60 ditë kalendarike nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe komisionet parlamentare. Vendimi është marrë më 12 tetor 2026, pas kërkesës së paraqitur nga një grup prej 10 deputetësh të Partisë Socialiste, lidhur me incidentet e regjistruara gjatë seancës plenare të 8 tetorit, kur në Kuvend po zhvillohej procesi i votimit.

Sipas vendimit, Gazment Bardhi akuzohet për fyerje dhe hedhjen e shisheve të ujit në drejtim të drejtuesve të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve socialistë. Në dokument thuhet se njëra prej shisheve ka goditur një punonjës të Gardës së Republikës, duke i shkaktuar dëmtime në sy.

Sekretariati argumenton se veprimet e Bardhit përshkallëzuan tensionet në sallë dhe cenuan rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të punimeve parlamentare. Në vendim, këto veprime cilësohen si shkelje të normave të etikës dhe disiplinës parlamentare.

Ndërsa deputeti tjetër i përjashtuar, Klevis Balliu, sipas dokumentit, ka dalë përpara foltores së Kuvendit dhe ka hedhur vezë në drejtim të Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

Gjithashtu, Balliu akuzohet se ka përdorur një pajisje zhurmuese në sallën e Kuvendit, duke penguar vijimin normal të punimeve. Sekretariati vlerëson se këto veprime kanë cenuar autoritetin e institucionit dhe kushtet për ushtrimin e rregullt të veprimtarisë parlamentare.

Në vendimin e tij, Sekretariati thekson se veprimet e pretenduara janë shqyrtuar mbi bazën e pamjeve filmike të regjistruara gjatë seancës dhe pamjeve të publikuara nga mediat.

Sipas dokumentit, sjelljet e përshkruara përbëjnë shkelje të nenit 63 dhe nenit 65/1, pika 7, shkronja “a”, të Rregullores së Kuvendit, si dhe të neneve 3, 5, pika 1, dhe 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit.

Sekretariati bën me dije se Gazment Bardhi, ndonëse ishte njoftuar për mbledhjen e 12 tetorit, nuk u paraqit për t’u dëgjuar. Klevis Balliu, nga ana tjetër, ishte i pranishëm në mbledhje.

Vendimi u mor me pjesëmarrjen e pesë anëtarëve të Sekretariatit, ndërsa një anëtar rezultonte mungues.

Masa disiplinore parashikon përjashtimin e të dy deputetëve për 60 ditë kalendarike, duke filluar nga dita pas shpalljes së vendimit. Për zbatimin e saj janë ngarkuar Shërbimi i Sigurisë në Kuvend dhe Sekretari i Përgjithshëm.

Vendimi mund të ankimohet brenda dy ditëve pranë Byrosë së Kuvendit. Top Channel