8 automjete mbërrijnë me shpejtësi në një resort në zonën e Orikumit në Vlorë, në pronësi të biznesmenit Vasil Bedinaj. Nga pamjet dhe të dhënat paraprake të bëra publike, në resort kanë hyrë të paktën 10 persona, disa prej të cilëve dyshohet se kanë qenë të armatosur. Sipas burimeve, personat janë konfliktuar me pronarin e resortit dhe mes tyre dyshohet se ka pasur edhe përplasje fizike.
Pas njoftimit të policisë, personat janë larguar nga resorti, ndërsa një pjesë e tyre dyshohet se kanë përdorur një automjet tip Range Rover.
Largimi i tyre nuk ka zgjatur shumë. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Gjatë ndjekjes, drejtuesi ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili është aksidentuar në hyrje të qytetit të Vlorës, në zonën e urës së Peshkëpisë. Në automjet ndodheshin tre persona dhe sipas policisë, dy prej tyre janë dëmtuar, ndërsa personi i tretë nuk ka pasur probleme shëndetësore.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët kanë gjetur një armë zjarri, pistoletë, ndersa tre personat janë shoqëruar në polici.
Ngjarja ka nisur rreth orës 11:30, kur vetë pronari i resortit ka telefonuar Policinë, duke deklaruar se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.
Policia konfirmon ndërhyrjen në resort, ngritjen e pikave të kontrollit dhe ndjekjen e automjetit, ndërsa sqaron se për momentin nuk konfirmon pretendimet e pronarit lidhur me motivin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.
Një nga pretendimet e ngritura nga biznesmeni Vasil Bedinaj është se personat kanë shkuar në resort për t’i vendosur një “gjobë” prej 5 milionë eurosh.
Por, krahas kësaj piste, janë ngritur edhe dyshime se ngjarja mund të ketë në themel një konflikt biznesi ose pronësie, i cili më pas është përshkallëzuar në përplasje fizike.
Për momentin, këto mbeten pretendime dhe pista që pritet të verifikohen nga hetimi.
Konflikti mes biznesmenëve
Sipas Top Channel, konflikti mes biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj dyshohet se lidhet me mbivendosjen e pronave në Palasë, ku të dy kanë marrë dokumente pronësie dhe leje për zhvillimin e tyre. Bedinaj mësohet se i kishte kërkuar Muçës një përqindje nga projekti për pjesën e pretenduar si të mbivendosur, por kërkesa ishte kundërshtuar. Dy biznesmenët u takuan sot në hotelin “Palma” në Orikum për të diskutuar çështjen, por takimi përfi në përplasje fizike mes tyre dhe personave që i shoqëronin.
Policia e Vlorës ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.
Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Meqenëse veprimet janë dinamike, në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim të plotë për ngjarjen. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

