Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar i ka mbyllur përfundimisht dyert për mediat, duke shënuar një akt të paprecedentë në marrëdhëniet e gjyqësorit me mediat në historinë e vendit përgjatë 35 viteve demokraci. Një rregullore e Brendshme “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” e hartuar nga kryetari në detyrë, Erion Bani dhe e miratuar së fundmi për të hyrë në fuqi më 1 shtator, ka shuar edhe ato pak hapësira lirie informimi që kishin mbetur ende. Në shkelje flagrante të së drejtës së informimit, Rregullorja e kthen gazetarin në një burokrat që duhet të mbushë çdo ditë formularë për të kërkuar leje që të ndjekë seancat, ndërsa kur gjendet brenda sallës së gjyqit, trajtohet thjesht si një spektator, pa as më të voglën mundësi për të ushtruar lirisht profesionin. LEXO edhe...DREJTËSIA E RE? / Kryetari i GJKKO-së rikthen censurën ndaj mediave: Tani gazetarëve, u duhet leje edhe për të ndjekur seancat gjyqësore (pa kamera e pa telefona!) Për këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, duke shprehur shqetësim për rregulloren drakoniane,e cila "sjell kufizime të papranueshme për ushtrimin e profesionit të gazetarit". AGSH thekson se "veçanërisht alarmues është ndalimi i përdorimit të telefonit celular nga gazetarët gjatë seancave gjyqësore". Reagim i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë: Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësim për Rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe sjell kufizime të papranueshme për ushtrimin e profesionit të gazetarit. Veçanërisht alarmues është ndalimi i përdorimit të telefonit celular nga gazetarët gjatë seancave gjyqësore. Duam të sjellim në vëmendje të GJKKO ee telefoni celular nuk është thjesht një pajisje elektronike, por mjeti bazë i punës së gazetarit për raportim në kohë reale, komunikim me redaksinë dhe informim të publikut. Ndalimi i tij nuk i shërben administrimit të drejtësisë, por kufizon në mënyrë të pajustifikuar të drejtën kushtetuese të informimit publik sidomos nën dritën e gjyqeve historike që po mbahen në vendin tonë e posaçërisht më Gjykatën e Posaçme. Sa i përket regjistrimit dhe pranisë së kamerave në seanca gjyqësore, AGSH rikujton se debati nuk duhet të zhvillohet mbi baza ndalimesh të përgjithshme, por mbi zbatimin korrekt të ligjit dhe të Udhëzuesit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në raportin krahasues të publikuar nga AGSH theksohet qartë se Shqipëria nuk ka nevojë për kufizime të reja, por për zbatim të njëtrajtshëm të rregullave ekzistuese, vendimmarrje të arsyetuar për çdo kërkesë dhe përdorimin e regjistrimit të pjesshëm në vend të ndalimeve të plota. Po ashtu, rekomandimi qendror i AGSH-së është që të garantohet regjistrimi i pjesës hyrëse të seancave sipas Udhëzuesit të KLGJ-së, çdo kërkesë të shqyrtohet individualisht dhe çdo kufizim të jetë proporcional, i arsyetuar dhe i bazuar në ligj. Në këto kushte, AGSH i bën thirrje GJKKO-së që të shtyjë hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje dhe të hapë një proces konsultimi me Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë, komunitetin e gazetarëve, organizatat e medias dhe aktorët e tjerë të interesuar. Një akt me ndikim kaq të madh mbi lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t'u informuar nuk mund të miratohet pa dialog dhe pa respektuar standardet e transparencës. AGSH mbetet e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj dhe me rekomandimet e raportit të publikuar së fundmi, me qëllim që të ndërtohet një model që garanton njëkohësisht mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të drejtën e medias për të informuar publikun në mënyrë të lirë, profesionale dhe të përgjegjshme. K.M/ReportTv.al liria e medias GJKKO agsh Erion Bani media Komento Komente Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 57.4% 100 bashki (PD) 16% 61 bashki (si sot) 26.6% Vota total: 5671 Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?

