Lajme Zone
Gjermania do të përdorë inteligjencën artificiale për të zbuluar mashtrimet e emigrantëve me ndihmat sociale
BotëReport TV

Gjermania do të përdorë inteligjencën artificiale për të zbuluar mashtrimet e emigrantëve me ndihmat sociale

Qeveria gjermane prezanton një plan me 37 masa për të goditur mashtrimet me përfitimet sociale. Në shënjestër janë edhe skemat që, sipas autoriteteve, përdorin emigrantë nga vendet e Bashkimit Evropian për të përfituar para nga shteti.

Qeveria gjermane ka shpallur një ofensivë të re kundër abuzimit me ndihmat sociale, duke prezantuar një plan me 37 masa që synojnë të zbulojnë dhe frenojnë mashtrimet me përfitimet që paguhen nga shteti. Plani, i hartuar nga Ministria e Punës dhe Ministria e Brendshme, parashikon më shumë kontrolle, shkëmbim më të gjerë të të dhënave mes institucioneve dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për të identifikuar rastet e dyshuara. LEXO edhe...Spanjë/ Skena kaotike në rrugët e Ceutas, mijëra emigrantë përplasen me policinë në përpjekje për të siguruar një vend në kampin e ri Ministrja e Punës, Bärbel Bas, deklaroi se qeveria nuk do të tolerojë më abuzimin me sistemin e ndihmës sociale. "Ne nuk tolerojmë shfrytëzimin dhe keqpërdorimin e përfitimeve sociale", u shpreh ajo, duke shtuar se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të luftuar këtë fenomen. Sipas Deutsche Welle, një pjesë e madhe e planit lidhet me rastet që autoritetet gjermane i lidhin me emigracionin nga vendet e Bashkimit Evropian. Sipas qeverisë, në disa raste janë krijuar skema të organizuara ku emigrantë nga vende të BE-së regjistrohen në punë me orar të reduktuar ose edhe në marrëdhënie pune fiktive. Në këtë mënyrë ata fitojnë të drejtën për të marrë ndihmë sociale, pasi të ardhurat e deklaruara rezultojnë shumë të ulëta. Autoritetet gjermane pretendojnë se pas shumë prej këtyre rasteve qëndrojnë grupe të organizuara kriminale, të cilat sjellin njerëz, kryesisht nga Bullgaria dhe Rumania, i sistemojnë në banesa të amortizuara që shpesh janë në pronësi të tyre dhe më pas përfitojnë nga ndihmat sociale dhe qiratë që paguan shteti. Pikërisht për këtë arsye, qeveria synon të ndryshojë edhe ligjin për ndërtimet, duke u dhënë autoriteteve më shumë kompetenca për të hyrë dhe kontrolluar objektet ku dyshohet se kryhen këto abuzime. Në raste të caktuara parashikohen edhe mundësi të kufizuara shpronësimi për pronarët që nuk ndërhyjnë në godinat e amortizuara. Një tjetër ndryshim lidhet me regjistrimin e adresës së banimit. Qeveria synon të shmangë rastet kur dhjetëra persona rezultojnë të regjistruar në të njëjtën banesë vetëm për të përfituar ndihma sociale. Në plan parashikohet gjithashtu zgjerimi i shkëmbimit të të dhënave mes zyrave të punësimit, bashkive dhe institucioneve të tjera shtetërore. Sipas autoriteteve, kjo do të ndihmojë në zbulimin e punës në të zezë, punësimeve fiktive dhe rasteve të tjera të mashtrimit. Për herë të parë, qeveria synon të përdorë edhe sisteme të bazuara në inteligjencën artificiale për analizimin e të dhënave. Për këtë qëllim, numri personal i identifikimit do të regjistrohet në të gjitha regjistrat që lidhen me përfitimet sociale, ndërsa institucionet do të detyrohen të shkëmbejnë informacion mes tyre. Masat parashikojnë edhe që personat ndaj të cilëve ekziston një urdhër arresti i ekzekutueshëm të mos kenë më të drejtë të përfitojnë ndihmën bazë sociale. Po ashtu, punëdhënësit që përdorin punë të padeklaruar do të përballen me sanksione më të rënda. Problemi është ngritur prej vitesh nga disa qytete të rajonit të Ruhrit, si Duisburg dhe Gelsenkirchen, të cilat kanë raportuar raste kur familje të regjistruara si përfituese të ndihmës sociale nuk jetojnë më prej kohësh në adresat e deklaruara, ndërsa pagesat vazhdojnë. Bärbel Bas, e cila vjen nga Duisburgu, e ka bërë luftën kundër këtyre skemave një nga prioritetet e mandatit të saj. Qeveria e kancelarit Friedrich Merz pritet ta miratojë planin gjatë këtij muaji, ndërsa zbatimi i masave mund të nisë deri në fund të vitit. U.D/ReportTv.al gjermani Friedrich Merz emigrante inteligjenca artificiale Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 5.7% Të gabuar 89.5% Nuk e di 4.8% Vota total: 3507 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?