Gjermania akuzoi zyrtarisht Rusinë se qëndron pas tentativës së sulmit me dron në aeroportin e Lajpcigut/Hale, duke e cilësuar incidentin pjesë të një serie sulmesh hibride kundër Evropës. Pas njoftimit të Berlinit, NATO dhe Bashkimi Evropian shprehën solidaritet me Gjermaninë, ndërsa qeveria gjermane bëri të ditur se do të marrë masa të reja kundër Moskës. Sipas autoriteteve gjermane, më 4 gusht një dron i pajisur me eksploziv u zbulua në zonën e sigurisë së aeroportit, mes avionëve ukrainas të transportit. Hetuesit dyshojnë se një dron i dytë mund të jetë përplasur pranë një avioni të kompanisë DHL, ndërsa javën e kaluar mediat gjermane raportuan se në aeroport është gjetur edhe një dron i tretë, gjithashtu i pajisur me eksploziv. LEXO edhe...11 vende të BE-së kërkojnë që t'i jepet fund vetos për vendimarrjet në politikën e jashtme Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, tha se hetimet, provat e mbledhura dhe informacionet e inteligjencës kanë çuar qeverinë federale në përfundimin se Rusia është përgjegjëse për sulmin. “Qeveria federale arrin në përfundimin se Rusia është përgjegjëse për sulmin hibrid në Lajpcig”, deklaroi ai, duke shtuar se incidenti nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një “serie të gjatë operacionesh destabilizuese” kundër Evropës. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, i cili tha se konfigurimi i dronit, eksplozivët dhe sistemi i shpërthimit përputhen me elementë të përdorur në operacione të tjera hibride të lidhura me Rusinë dhe luftën në Ukrainë. Prokuroria Federale e Gjermanisë e ka cilësuar ngjarjen një “sulm serioz ndaj infrastrukturës gjermane të transportit dhe logjistikës”, ndërsa Dobrindt paralajmëroi se Gjermania pret të jetë objekt i sulmeve të tjera hibride. Ai theksoi se vendi “nuk është në luftë”, por përballet çdo ditë me kërcënime të këtij lloji dhe se përgjigjja e Berlinit do të jetë “proporcionale, e matur, por e vendosur”. Objektivi i dyshuar i sulmit nuk është një aeroport i zakonshëm. Lajpcigu/Hale është një nga qendrat më të rëndësishme të transportit të mallrave në Gjermani dhe një nyje kyçe e mbështetjes logjistike për Ukrainën. Ai përdoret rregullisht nga avionët transportues Antonov dhe strehon programin e NATO-s Strategic Airlift International Solution (SALIS), i cili transporton pajisje për grupet luftarake të aleancës në krahun lindor, nga Finlanda deri në Rumani, si edhe mbështet misionet e vendeve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Për incidentin reagoi edhe shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila tha se ishte “e qartë” se Rusia ishte e përfshirë, megjithëse priti njoftimin zyrtar të Berlinit përpara se të komentonte më tej. Sipas saj, Moska po bëhet gjithnjë e më provokuese, duke rritur tensionet në Evropë. Pas akuzave të Gjermanisë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca është “plotësisht solidare” me Berlinin. Pas një bisede me kancelarin Friedrich Merz, ai tha se NATO do të vazhdojë të forcojë kapacitetet parandaluese dhe mbrojtjen e aleatëve, ndërsa përpjekjet e Rusisë për të minuar unitetin e aleancës dhe mbështetjen për Ukrainën “do të dështojnë”. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu mbështetje të plotë për Gjermaninë, duke deklaruar se Bashkimi Evropian do të mbetet i bashkuar përballë sulmeve hibride dhe se këto veprime “nuk do të mbeten pa pasoja”. Ajo bëri të ditur se çështja, përfshirë mundësinë e sanksioneve të reja, do të diskutohet nga ministrat e Jashtëm të BE-së. Si pjesë e përgjigjes së saj, Gjermania njoftoi një paketë masash ndaj Rusisë. Ministri i Jashtëm Johann Wadephul bëri të ditur se do të mbyllet konsullata ruse në Bon më 18 shtator, do të ndërpritet kontrata e “Shtëpisë Ruse”, do të ashpërsohen kontrollet për shtetasit rusë dhe do të shtohet presioni ndaj të ashtuquajturës “flotë hije”. Berlini synon gjithashtu të propozojë në Bashkimin Evropian sanksione të reja ndaj individëve rusë të lidhur me sulmet hibride. Nga ana tjetër, Rusia mohoi çdo përfshirje në incidentin e Lajpcigut. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se Moska e konsideron Gjermaninë përgjegjëse për përfshirjen në sulme kundër qytetarëve rusë. “Berlini sponsorizon terrorizmin”, akuzoi Zakharova, duke iu referuar furnizimit me armë dhe ndihmës që Gjermania i jep Ukrainës. Ora 20:26 Pas akuzave ndaj Moskës për sulmin në Lajpcig, Zelensky solidarizohet me Gjermaninë: Dronët tanë do ta bëjnë të rrezikshme hapësirën ajrore ruse Pas akuzave të Gjermanisë se Rusia qëndron pas sulmit me dron në aeroportin e Lajpcigut dhe reagimeve të NATO-s e Bashkimit Evropian, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Ukraina do ta bëjë gjithnjë e më të rrezikshme hapësirën ajrore ruse. Ai theksoi se Kievi nuk synon aviacionin civil, por u bëri thirrje kompanive ajrore dhe atyre të sigurimeve të marrin parasysh se dronët ukrainas do ta bëjnë shumë të rrezikshëm fluturimin mbi territorin rus.Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha shprehu solidaritet me Gjermaninë, duke e cilësuar incidentin në Lajpcig pjesë të strategjisë agresive të Rusisë ndaj Gjermanisë dhe Evropës dhe kërkoi një përgjigje të vendosur, përfshirë sanksione të tjera ndaj Moskës. Share U.D/ReportTv.al Alexander Dobrindt Johann Wadephul lajpcig sulm hibrid moska Rusi gjermani Komento Komente Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë? Politika 29.8% Drejtësia 66.6% Nuk e di 3.6% Vota total: 3187 Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë?

