Protestat përfshinë të shtunën gjithë Gjermaninë, të udhëhequra nga të rinjtë e gjeneratës Z, që ndryshuan strategji. Ndryshe nga vendet e tjera të Evropës, përfshirë dhe Shqipërinë, ku protestat janë shoqëruar me përplasje e akte dhune, në Gjermani tubimi ishte paqësor, pasi që në nisje organizatorët theksuan se nuk duan dhunë dhe as nuk sulmojnë policinë, por sipas tyre, nuk duan këtë politikë aktuale, me argumentin se po u vjedh të ardhmen.
Nisma “Gen Zi regelt” u shpreh qartë se mbështet vetëm protestat paqësore dhe se refuzon çdo formë dhune. Edhe në faqen e tyre të internetit ata bënë të ditur se nuk dëshirojnë praninë e grupeve ekstremiste apo simboleve antikushtetuese në demonstratat e tyre.
Ata paralajmëruan pjesëmarrësit të mos sillnin shishe qelqi apo armë, të shmangnin provokimet ndaj policisë dhe rikujtuan ndalimin e maskimit të fytyrës gjatë protestave.
Të rinjtë në Gjermani kërkojnë më shumë fonde për shkollat, ndihmën ndaj personave me varësi dhe psikoterapinë, masa kundër rritjes së kostos së jetesës, më shumë drejtësi sociale dhe mbrojtje të klimës.
Nisma kundërshton po ashtu rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, si dhe zgjerimin e mbikëqyrjes shtetërore. Sipas organizatorëve të protestës, në shesh dolën më shume se 68 mijë persona.
Nga frika e incidenteve të mundshme si ato në Francë, shumë tregtarë në qendrat e qyteteve dhe sidomos në rrugët luksoze të butikëve në metropolet e mëdha gjermane i mbuluan paraprakisht vitrinat e tyre me panele druri. Policia ishte angazhuar pjesërisht me qindra efektivë shtesë për të treguar prani dhe për të garantuar sigurinë. Top Channel

