Një tjetër banesë ku mbaheshin lëndë piroteknike të kontrabanduara është zbuluar në Tiranë. Në pranga ka rënë pronari i banesës, një 32-vjeçar me inicialet D. B., ku u gjetën dhe u sekuestruan 47 pako me fishekzjarrë.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit në banesën e tij, në rrugën “Zela”, u konstatua se 32-vjeçari nuk dispononte licencë për shitjen e lëndëve piroteknike dhe as dokumentacionin shoqërues të blerjes së tyre.
Nga hetimet dyshohet se ai u kishte shitur lëndë piroteknike personave të maskuar, pjesëmarrës në tubimin e së shtunës, të cilët dyshohet se i kanë përdorur për veprime të dhunshme.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të kontrolleve për identifikimin e personave që dyshohet se furnizojnë pjesëmarrësit në tubime me sende të kundërligjshme.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Top Channel

