Një qytetar ka denoncuar në polici Zef Ded Gjelajn nga Balldreni i Lezhës, duke pretenduar se ai i ka marrë me qira një dyqan në rrugën “At Zef Pëllumbi”, nr. 1, në Tiranë, por ka lënë pa paguar për tre muaj qiranë dhe energjinë elektrike. Sipas denoncuesit, gjatë kohës që ai ndodhej në punë sezonale në plazh, Gjelaj është larguar nga ambienti duke marrë me vete pajisje dhe sende që, sipas tij, i përkisnin biznesit. “Ka marrë çdo gjë që ishte në objekt, të miat dhe të vetat, dhe është larguar”, pretendon qytetari.
Në denoncimin e tij, qytetari ngre akuza të tjera të rënda ndaj Gjelajt, duke pretenduar se ai ka përdorur edhe më parë ambiente biznesi me qira dhe më pas është larguar duke marrë pajisjet. Ai përmend si bashkëpunëtor të pretenduar Gëzim Oroshin nga Kosova, ndërsa ngre gjithashtu pretendime për dhunë ndaj Esmeralda Jellajt. Denoncuesi pretendon edhe se Gjelaj ka përdorur adresa të rreme për të mashtruar gra që kërkonin punë.
Sipas qytetarit, rasti është denoncuar në polici, por deri tani nuk ka marrë përgjigje. Ai pretendon gjithashtu se Zef Ded Gjelaj është përballur më parë me një procedim nga SPAK, lidhur me një pretendim për ryshfet ndaj një punonjësi të OSHEE-së.

