Nga Genc Burimi “Ne do çojmë përpara ligjin e munguar për referendume sepse ka plot tema që duhet t’i vendosim përpara shqiptarëve dhe t’i pyesim të thonë se kush është me kë dhe kush është për çfarë”. Kjo deklaratë është e vetë Kryeministrit Rama para Asamblesë së PS-së në marsin e kaluar. Në kushtet e reja politike të krijuara nga protesta, ku përpos rrëzimit të projektit të Zvërnecit kërkohet edhe ai i qeverisë Rama, a mund ta aktiviziojë ky i fundit armën e referendumit? Tundimi është patjetër real, pasi siç e thoshte dhe vetë Rama, referendumi do të shërbente jo vetëm për të zvogëluar numrin e deputetëve por edhe për shumë tema të tjera. Kjo do t’i lejonte Kryeministrit në këtë moment krize të bënte diversion për ta ri-kanalizuar lëvizjen e protestës nga kërkesa për dorëheqje të Ramës në atë të mbajtjes apo braktisjes së projektit të Zvërnecit. Nëse Rama realizon ëndrrën e marsit për referendume, ai do t’i bënte sërish llogaritë gabim. Problemi është se edhe referendumi, nëse kjo ndodh me këtë Kryeministër, do të dyshohet si i manipuluar. Referendumi në vetvete është zgjedhje. Në Shqipëri zgjedhjet manipulohen, siç thonë të gjitha raportet ndërkombëtare kur vërejnë aty se Shteti vihet në shërbim të pushtetit. Çdo referendum i organizuar nga Rama nuk do t’i shpëtonte këtij rrethi vicioz. Problemi nuk është referendumi por kush e kontrollon organizimin e tij. Konkluzion: vetëm dorëheqja e Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore do të krijonin besimin e duhur në çdo proces të ardhshëm votimi, si për referendume ashtu edhe për zgjedhje.
Maqedonia e Veriut e ka eksperimentuar këtë me sukses. Ngado që “të rrotullohet”, Rama nuk do të mund t’i shpëtojë kësaj logjike akute të protestës për rikthimin e besimit te institucioni i zgjedhjeve përfshirë dhe referendumet, me anë të largimit të atyre që akuzohen se i cënojnë ato . © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

