Lajme Zone
Gati 3 muaj pas zgjedhjeve, emri i presidentit mban peng zhbllokimin e krizës në Kosovë! Kush është emri në tryezën e bisedimeve mes Kurtit dhe Abdixhikut?
PolitikëReport TV

Gati 3 muaj pas zgjedhjeve, emri i presidentit mban peng zhbllokimin e krizës në Kosovë! Kush është emri në tryezën e bisedimeve mes Kurtit dhe Abdixhikut?

Takimet mes Albin Kurtit dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk kanë sjellë ende një marrëveshje, ndërsa në media dhe në deklaratat publike kanë nisur të qarkullojnë disa emra si kandidatë të mundshëm për kreun e shtetit.

Kosova vijon të jetë pa institucione të reja gati tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Edhe pse zgjedhjet kanë përfunduar prej javësh, Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa ngërçi politik është zhvendosur te negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit, marrëveshje që po shihet si çelësi për zhbllokimin e krizës. LEXO edhe...‘Hapni arkivat për të zhdukurit’, Kurti i kërkon Serbisë të ndihmojë në gjetjen e të humburve gjatë luftës në Kosovë Vetëvendosje doli forca e parë në zgjedhje me 53 mandate dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka shumicën e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë së re. Megjithatë, zgjedhja e Presidentit kërkon një mbështetje më të gjerë politike, sepse që votimi të jetë i vlefshëm duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë në Kuvendin me 120 vende.Për këtë arsye, dialogu zyrtar dhe ai prapa kuintave mes LVV-së dhe LDK-së është përqendruar prej ditësh te gjetja e një kandidati të pranueshëm për të dyja palët. LDK-ja ka përjashtuar mundësinë e hyrjes në një bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, por ka deklaruar se është e gatshme të bashkëpunojë për zgjedhjen e Presidentit. Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë takuar tri herë. Takimi i dytë brenda javës dhe i treti gjithsej u zhvillua të shtunën në mbrëmje, por edhe ai përfi pa një marrëveshje konkrete. Pas disa orësh negociata., të dy liderët thjesht konfirmuan se po diskutojnë emra të mundshëm dhe asgjë më shumë. Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, është shprehur optimiste se java në vijim mund të jetë vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje. Të dielën mediat kosovare raportuan se Kurti dhe Abdixhiku janë pajtuar në parim për emrin e ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, si kandidat për President. Deri tani, as Sejdiu, as Kurti dhe as Abdixhiku nuk i kanë konfirmuar këto raportime, ndërsa edhe LVV-ja e LDK-ja kanë shmangur deklaratat për një marrëveshje të arritur. Emri i Sejdiut ka nxitur reagime të ndryshme. Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, e ka vlerësuar figurën e tij, duke theksuar përvojën në drejtësi, diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Edhe ish-deputeti Ilir Deda është shprehur se Sejdiu do t'i bënte nder Kosovës nëse do të zgjidhej President. Ndërkohë, analisti Shenoll Muharremi ka ngritur dyshime se kandidatura mund të jetë pjesë e një strategjie politike, ndërsa juristi Arton Demhasaj ka shprehur rezerva për mënyrën se si po zhvillohet procesi. Bekim Sejdiu nuk është emri i parë që është përmendur gjatë kësaj krize. Javën e kaluar, ish-kongresmeni amerikan Joseph DioGuardi dhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, propozuan publikisht ish-deputetin e LDK-së, Faton Bislimi, si kandidat për President. Të dy e cilësuan atë një figurë që mund të bashkojë spektrin politik, ndërsa Bislimi u vlerësua për përvojën në politikë, akademi dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Ndërkohë, opozita vijon të akuzojë Albin Kurtin se po zvarrit krijimin e institucioneve. Deputetët e PDK-së dhe AAK-së u mblodhën edhe të dielën në sallën e Kuvendit, ku e cilësuan kryeministrin në detyrë si përgjegjës për bllokimin e procesit. “Jam rritë tu e parë Albin Kurtin tu i gjuajtur institucionet e Kosovës me gurë, me zjarr, me molotov e në forma të ndryshme, ndërsa tash si përfaqësues i popullit këtë kuvend po e përjetoj Albin Kurtin duke e cenu rendin kushtetues”, deklaroi deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arian Tahiri. Edhe deputeti i zgjedhur i AAK-së, Burim Ramadani, tha se Vetëvendosje nuk po e fsheh më përgjegjësinë për bllokadën. “Edhe sot, sikurse ato ditë, me sinqeritet po e konstatojmë bllokadën e re të Kuvendit të Kosovës, të shtetit të Kosovës. Dhe ata tashmë as nuk po e fshehin që janë bllokuesit”, u shpreh ai për mediat në Kosovë. Më herët, PDK-ja dhe AAK-ja kanë dorëzuar edhe kallëzime penale në Prokurorinë Speciale, duke kundërshtuar vendimet e Qeverisë në detyrë dhe vazhdimin e ushtrimit të funksioneve ekzekutive nga ministrat e zgjedhur deputetë. Për momentin, e gjithë vëmendja mbetet te negociatat mes LVV-së dhe LDK-së. Nëse palët arrijnë një marrëveshje për Presidentin, pritet të zhbllokohet edhe procesi i krijimit të institucioneve. Në të kundërt, Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, të cilat do të ishin të katërtat parlamentare në 2 vjet. U.D/SI.E./ReportTv.al LDK Vetëvendosje Faton Bislimi Bekim Sejdiu Lumir Abdixhiku Albin Kurti kriza politike ne kosove Komento Komente Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë? Politika 29.9% Drejtësia 66.5% Nuk e di 3.6% Vota total: 1221 Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë?