Foto ilustruese Nga anijet e peshkimit në brigjet e Kalabrisë te kompanitë e ndërtimit, transportit dhe financave në Italinë veriore, ’Ndrangheta ka ndërtuar një sistem të gjerë ndikimi ekonomik. Hetimet e fundit zbulojnë se organizata mafioze jo vetëm u imponon pagesa dhe kushte tregtarëve, por ka zhvilluar edhe mekanizma për të depërtuar në bizneset e ligjshme, për të pastruar para dhe për të kontrolluar tregje të tëra. Organizata mafioze kalabreze ’Ndrangheta po zgjeron ndikimin e saj në ekonominë italiane përmes një modeli që ndërthur kontrollin tradicional të territorit me depërtimin në tregjet e ligjshme. Nga portet e vogla të peshkimit në jug të Italisë deri te qendrat industriale dhe financiare të veriut, hetimet tregojnë se klanet kanë krijuar mekanizma të ndryshëm për të siguruar të ardhura, për të kontrolluar aktivitetet tregtare dhe për të forcuar pozitat e tyre ekonomike.
Dy zhvillime të fundit nxjerrin në pah përmasat e këtij fenomeni. Në Kalabri, hetuesit kanë rindërtuar një sistem përmes të cilit klanet mafioze dyshohet se kontrollonin anijet e peshkimit, shpërndarjen e prodhimeve të detit dhe çmimet e shitjes. Ndërkohë, një raport i ri i Komisionit Parlamentar Antimafia në Itali tregon se në rajonet veriore organizata ka zhvilluar një model më të sofistikuar, duke përdorur kompani, profesionistë dhe ndërmjetës financiarë për të hyrë në ekonominë e ligjshme.
Raporti parlamentar, i miratuar më 3 nëntor, dhe dokumentet hetimore të Drejtorisë Antimafia të Catanzaros, të analizuara në raportimet e ReggioToday dhe LaC News24, përshkruajnë dy forma të ndryshme të veprimtarisë së së njëjtës organizatë kriminale: kontrollin e drejtpërdrejtë të aktiviteteve ekonomike në territoret e origjinës dhe depërtimin përmes marrëdhënieve tregtare në veri të vendit.
Klanet kontrollonin peshkimin, merrnin çdo ditë prodhimin më të mirë
Një nga rastet më domethënëse është zbuluar përgjatë bregdetit të Jonit, në zonën mes Cariati dhe Cirò Marina, në provincat e Cosenzas dhe Crotones.
Sipas dokumenteve të operacionit antimafia të koduar “Ginestra”, klanet e lidhura me strukturën mafioze të Cirò kishin ngritur një sistem kontrolli mbi sektorin e peshkimit, duke kufizuar konkurrencën dhe duke ndërhyrë drejtpërdrejt në veprimtarinë e anijeve dhe tregtarëve.
Hetuesit dyshojnë se përfaqësues të besuar të organizatës mbikëqyrnin aktivitetin në portet e Cirò Marina dhe Cariati, duke u imponuar pronarëve të anijeve dhe peshkatarëve detyrimin për t'u dorëzuar çdo ditë një pjesë të peshkut të sapokapur.
Pagesa ndaj klaneve nuk kryhej vetëm në para. Në shumë raste, sipas hetimeve, peshkatarët detyroheshin të dorëzonin prodhimet më të vlefshme, të cilat më pas përfnin në rrjetin e tregtimit të kontrolluar ose të ndikuar nga organizata.
Kjo praktikë u mundësonte grupeve kriminale të siguronin mall pa e blerë në kushtet normale të tregut dhe më pas ta shpërndanin në dyqane peshku dhe restorante që bashkëpunonin me to ose ndodheshin nën ndikimin e tyre.
Përmes këtij mekanizmi, klanet dyshohet se përcaktonin edhe çmimet e shitjes, duke përfituar nga çdo hallkë e zinxhirit tregtar, nga zbarkimi i peshkut në port deri te konsumatori.
Të ardhurat përfnin në arkën e përbashkët të organizatës mafioze, e njohur në strukturat e ’Ndranghetas si “bacinella”.
Hetimet e lidhin këtë sistem me klanin Farao-Marincola, një nga strukturat mafioze me ndikim në zonën e Cirò. Sipas dokumenteve gjyqësore dhe dëshmive të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, grupet kriminale që vepronin në Cariati kishin marrëdhënie varësie me drejtuesit e organizatës në Cirò.
Në këtë strukturë, hetuesit identifikojnë edhe Giorgio Grecon si një figurë të rëndësishme të grupit mafioz të Cariati, me rol të dyshuar në koordinimin e veprimtarive të paligjshme në territor.
Kontrolli mbi peshkimin ishte pjesë e një sistemi më të gjerë ndikimi, që përfshinte gjithashtu punët publike, aktivitetet tregtare dhe zhvatjen e sipërmarrësve.
Në veri, mafia depërton në kompani dhe ofron shërbime të paligjshme
Ndërsa në Kalabri klanet përdorin kontrollin territorial dhe detyrimet ndaj operatorëve ekonomikë, në Italinë veriore ’Ndrangheta ka zhvilluar forma të tjera ndikimi.
Raporti i Komisionit Parlamentar Antimafia, i drejtuar nga Chiara Colosimo, përshkruan një organizatë që përshtatet me ekonominë e rajoneve ku vepron, pa i ndërprerë lidhjet me strukturat drejtuese në Kalabri.
Në Emilia-Romagna, Lombardia, Liguria dhe rajone të tjera veriore, hetimet kanë evidentuar depërtimin e grupeve mafioze në sektorë si ndërtimi, transporti, logjistika, menaxhimi i mbetjeve, pasuritë e paluajtshme, hoteleria dhe shërbimet financiare.
Një nga elementet kryesore që thekson raporti është ndryshimi i marrëdhënies mes organizatës kriminale dhe sipërmarrësve.
Në disa raste, mafia nuk kufizohet më te kërcënimi apo kërkesa për pagesa të detyruara. Ajo u ofron bizneseve shërbime të paligjshme, përfshirë fatura fiktive, shmangie të detyrimeve tatimore, qarkullim të parave të gatshme dhe financime jashtë sistemit të rregullt bankar.
Kjo krijon marrëdhënie në të cilat disa sipërmarrës përfitojnë fillimisht nga shërbimet kriminale, por më pas rrezikojnë të humbasin pavarësinë ekonomike dhe të bien nën ndikimin e organizatës.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces luajnë profesionistët, konsulentët, administratorët dhe personat që vendosin emrin e tyre në dokumentet e kompanive për të fshehur pronarët ose kontrolluesit e vërtetë.
Komisioni Antimafia e konsideron këtë rrjet marrëdhëniesh mes ekonomisë së ligjshme dhe veprimtarisë kriminale si një nga faktorët që e bëjnë më të vështirë identifikimin e depërtimit mafioz.
Një rast i përmendur në dokumentet parlamentare lidhet me 166 kompani fiktive në Reggio Emilia, të gjitha të regjistruara në një adresë të vetme, pa struktura reale operative apo punonjës. Sipas hetuesve, kompani të tilla mund të përdoren për lëshimin e faturave për transaksione që nuk kanë ndodhur dhe për qarkullimin e fondeve përmes operacioneve financiare të rreme.
Këto praktika u mundësojnë organizatave kriminale jo vetëm të përfitojnë financiarisht, por edhe të krijojnë lidhje me sipërmarrës dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Nga kontrolli i porteve te ndikimi në tregje, një organizatë që përshtatet
Dy modelet e zbuluara nga hetimet tregojnë mënyrën se si ’Ndrangheta përdor mjete të ndryshme për të arritur të njëjtin objektiv: sigurimin e të ardhurave dhe forcimin e kontrollit ekonomik.
Në brigjet e Kalabrisë, sipas hetuesve, organizata shfrytëzonte ndikimin territorial për të imponuar dorëzimin e peshkut, për të ndërhyrë në tregti dhe për të kufizuar konkurrencën.
Në veri, ajo përdor lidhjet me sipërmarrës, kompanitë fiktive dhe shërbimet financiare të paligjshme për të depërtuar në sektorë ekonomikë ku veprimtaria mafioze është më pak e dukshme.
Megjithëse metodat ndryshojnë, raporti parlamentar thekson se strukturat e ’Ndranghetas në Italinë veriore vazhdojnë të ruajnë lidhje organizative me territoret e origjinës në Kalabri.
Kjo aftësi për t'u përshtatur me mjedise të ndryshme ekonomike përbën një nga sfidat kryesore për autoritetet italiane.
Komisioni Parlamentar Antimafia paralajmëron për rrezikun e normalizimit të pranisë së organizatës në ekonominë veriore dhe kërkon një qasje të diferencuar në luftën kundër krimit të organizuar, në përputhje me karakteristikat e secilit territor.
Hetimet në sektorin e peshkimit dhe gjetjet e raportit parlamentar tregojnë se ndikimi i ’Ndranghetas nuk kufizohet te aktivitetet kriminale tradicionale. Ai shtrihet edhe në tregjet e përditshme, në zinxhirët e furnizimit dhe në marrëdhëniet mes kompanive, duke dëmtuar konkurrencën dhe duke krijuar mundësi për pastrimin e të ardhurave të paligjshme. /Pamfletindragheta peshkimi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kronike Aksident në minierën e Martaneshit, humb jetën minatori 7 Nëntor 2026, 13:5213:52Kronike “Kuzhina”, “hipja” dhe “dalja”/ Zbardhen kodet sekrete të klanit Çopja për trafikun e 60.7 tonë kokainë 7 Nëntor 2026, 11:5511:55Kronike Atentati ndaj shqiptarit në Athinë, zbulohet identiteti i 38-vjeçarit nga Saranda; në kërkim për grup kriminal 7 Nëntor 2026, 11:4211:42Kronike Kush drejtonte trafikun e 61 tonëve kokainë? SPAK zbardh rolet e Çopjas, Ballës dhe dy njerëzve të besuar 7 Nëntor 2026, 11:3111:31Kronike Një person i tretë në vrasjen e Urim Fikut? Zbardhen detaje të reja, gruaja ndryshon dëshminë 7 Nëntor 2026, 11:2711:27Kronike Droga nga Amerika e Jugut drejt Europës, SPAK zbardh 5 episodet e kapjes së 18.7 tonëve kokainë të organizatës Çopja 7 Nëntor 2026, 11:2011:20Kronike

