Mënyra se si Serbia do të menaxhojë ceremonitë mortore për ish-komandantin ushtarak serb të Bosnjës, Ratko Mladiç, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, mund të ndikojë drejtpërdrejt në rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi kthimin e eshtrave të Mladiçit në Beograd dhe mënyrën e trajtimit të varrimit si një “test shumë të rëndësishëm” për Serbinë dhe perspektivën e saj evropiane. Ajo gjithashtu anuloi një vizitë të planifikuar në Serbi, duke argumentuar se glorifikimi i ish-komandantit serb është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga e anëtarësimit në BE.
Mladiçi, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, vdiq më 27 gusht në moshën 84-vjeçare, ndërsa vuante dënimin e përjetshëm në një qendër paraburgimi të OKB-së në Hagë. Ai ishte dënuar për krime të lidhura me masakrën e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës.
Trupi i tij u kthye në Serbi të enjten me një avion qeveritar. Arkivoli u transportua nga ushtarë dhe ishte mbështjellë me flamurin serb, pamje që u transmetuan edhe nga mediat në vend.
Ndërkohë, autoritetet serbe nuk kanë konfirmuar zyrtarisht organizimin e një ceremonie shtetërore. Ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiç, kishte deklaruar më herët se Mladiçi do të varrosej me nderime shtetërore, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiç më pas tha se vendimi për ceremoninë i takon familjes.
Sipas raportimeve të mediave serbe, një ceremoni përkujtimore mund të zhvillohet të shtunën, ndërsa varrimi pritet të mbahet të hënën në një zonë periferike të Beogradit.
Duke folur për gazetarët në Dublin, Kos paralajmëroi se mënyra se si do të trajtohet rasti Mladiç do të merret në konsideratë nga vendet anëtare të BE-së gjatë vlerësimit të progresit të Serbisë.
“Sjellja e eshtrave të Ratko Mladiçit në Beograd do të jetë një test shumë i rëndësishëm”, deklaroi ajo, duke shtuar se zhvillimet në Serbi mund të ndikojnë në mënyrën se si shtetet anëtare e vlerësojnë vendin.
Edhe zyrtarë të tjerë evropianë kanë shprehur shqetësim. Ministri irlandez për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, tha se një funeral shtetëror do të ishte i papranueshëm, ndërsa ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, e konsideroi çdo nderim zyrtar si një largim të Serbisë nga vlerat themelore të BE-së.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç ka shkuar edhe më tej, duke paralajmëruar se dhënia e nderimeve më të larta për Mladiçin do të ishte e barasvlershme me “mbylljen e derës së Bashkimit Evropian nga vetë Serbia”.
Në Bruksel, shqetësimet janë shtuar edhe për shkak të procesit të zgjerimit. Burime diplomatike evropiane bëjnë me dije se një ceremoni shtetërore apo pjesëmarrja e zyrtarëve serbë në një event përkujtimor për Mladiçin do të dobësonte mbështetjen për anëtarësimin e Serbisë.
Serbia synon të avancojë në negociatat me BE-në, por hapja e mëtejshme e kapitujve negociues është penguar edhe më herët nga shqetësimet e vendeve anëtare për reformat në drejtësi dhe çështje të tjera. Top Channel

