Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Ksamil, ku humbi jetën 20-vjeçari francez Miguel Mendes. I riu u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15, në shezlongët e një plazhi pranë një lokali. Policia ka identifikuar si autor të dyshuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes dhe vijon të jetë në kërkim.
Sipas burimeve të informacionit, nga këqyrja e trupit në morgun e Sarandës është konstatuar se 20-vjeçari kishte marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe në kraharor, ndërsa për shkak të plagëve të marra dyshohet se vdekja ka qenë e menjëhershme. Miguel Mendes kishte ardhur në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë për të kaluar pushimet në jug të Shqipërisë. Ndërkohë, Sokrat Vata mësohet se ishte i punësuar si roje plazhi në hotelin “Pronciopotes” dhe është larguar menjëherë pas ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, ngjarja dyshohet se ka nisur pas një konflikti për motive të dobëta. Burime bëjnë me dije se në qendër të konfliktit mund të ketë qenë një femër, por ky element mbetet ende për t’u verifikuar nga hetuesit. Policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e 29-vjeçarit, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

