Një pronë e pazakontë në Tilehurst, pranë Reading, në Britaninë e Madhe, është shitur në ankand për 375 mijë paund, duke tërhequr vëmendjen për rrjetin e gjerë të tuneleve dhe dhomave të fshehta të ndërtuara nën tokë.
Sipas gazetës britanike “The Sun”, shtëpia pesëdhomëshe fsheh një kompleks nëntokësor të krijuar nga inxhinieri i ndërtimit Tony Deane, i cili kaloi më shumë se 20 vjet duke e gërmuar me dorë, me ndihmën e gjashtë fëmijëve të tij.
Hapësira nëntokësore shtrihet në më shumë se 120 metra katrorë, zbret në një thellësi prej mbi 15 metrash dhe përbëhet nga katër nivele me korridore, dhoma magazinimi dhe kalime të fshehta.
Një nga veçoritë më të pazakonta të pronës është hekurudha e vogël nëntokësore, e ndërtuar për të transportuar shkumësin dhe dheun e nxjerrë gjatë gërmimeve. Kompleksi përfshin gjithashtu një ashensor mallrash me kapacitet prej një ton dhe dy dyer sekrete, njëra prej të cilave është krijuar si mur betoni rrëshqitës me peshë rreth 1,5 tonë.
Një tjetër hyrje e fshehtë ndodhet brenda një rakete dekorative rreth shtatë metra të lartë, e vendosur pranë pishinës së pronës.
Deane e nisi projektin gjatë viteve 1980 dhe 1990, duke përdorur mjete të thjeshta, si kova dhe karroca dore, për të nxjerrë materialin e gërmuar. Puna u krye kryesisht në shtresa shkumësi, të cilat në shumë pjesë ruajnë formën pa pasur nevojë për përforcime të vazhdueshme strukturore.
Richard Worrall, drejtues ankandesh dhe konsulent pranë kompanisë “BTG Eddisons Property Auctions”, tha se ishte i habitur nga përmasat e projektit dhe mënyra se si ishte realizuar.
Përveç kompleksit nëntokësor, prona përfshin një punishte me tri kate, me sipërfaqe rreth 232 metra katrorë, hapësira parkimi, kopshte, pishinë dhe dhoma zhveshjeje.
Sipas “The Sun”, prona ishte nxjerrë në ankand me një çmim orientues prej 300 mijë paundësh, ndërsa në fund u shit për 375 mijë paund. Autoritetet lokale kishin miratuar më herët edhe plane për ndërtimin e një shtëpie dykatëshe me pesë dhoma gjumi në vendin ku ndodhet pishina, si dhe për shndërrimin e punishtes në një banesë me tri dhoma gjumi.
Sipas Worrall, hapësirat nëntokësore mund të shfrytëzohen për qëllime të ndryshme, nga magazinimi i sigurt dhe strehimi në raste emergjencash, deri te një qendër e specializuar për ruajtjen e të dhënave.
Projekti, i cili për dekada mbeti kryesisht i panjohur për banorët e zonës, e ka kthyer pronën në një prej rasteve më të pazakonta të tregut britanik të pasurive të paluajtshme.
Burimi: “The Sun”

