Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, ka bërë me dije se Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, do të jetë i ftuar nderi në “World Law Congress Albania 2027”, që do të zhvillohet në Tiranë në muajin maj. Përmes një reagimi në Facebook, Hyseni ka ndarë momente nga një takim i zhvilluar në Palazzo del Quirinale, në Romë, ku një delegacion i World Jurist Association dhe World Law Foundation është pritur në audiencë nga Presidenti Mattarella. Në delegacion ishin edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Fiona Papajorgji, dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Sipas Hysenit, në qendër të takimit ishte organizimi i “World Law Congress Albania 2027”, një aktivitet ndërkombëtar që pritet të mbledhë në Tiranë personalitete të njohura të botës së drejtësisë, institucioneve dhe jetës publike. Hyseni bën me dije se Mattarella pritet të marrë pjesë në këtë aktivitet së bashku me Mbretin Felipe VI të Spanjës dhe personalitete të tjera ndërkombëtare.
Ai e ka cilësuar këtë një “nder të veçantë për Shqipërinë” dhe një mundësi për promovimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e dialogut juridik ndërkombëtar.
REAGIMI:
Një takim i veçantë sot në Palazzo del Quirinale, në Romë, me Presidentin e Republikës Italiane, z. Sergio Mattarella.
Një delegacion i përbërë nga anëtarë të bordeve drejtuese të World Jurist Association dhe World Law Foundation, me pjesëmarrjen e nderuar të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Fiona Papajorgji, dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, u prit në një audiencë të posaçme nga Presidenti Mattarella.
Në fokus të takimit ishte World Law Congress Albania 2027, që do të zhvillohet në Tiranë në muajin maj.
Presidenti Sergio Mattarella do të marrë pjesë si i ftuar nderi në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, së bashku me Madhërinë e Tij, Mbretin Felipe VI të Spanjës, dhe personalitete të tjera të shquara të botës së drejtësisë, institucioneve dhe jetës publike ndërkombëtare.
Një nder i veçantë për Shqipërinë dhe një moment me rëndësi për promovimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e dialogut juridik ndërkombëtar. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

