Një histori e pazakontë dashurie ka përfunduar në gjykatë, duke përfshirë një shumë prej 4.5 milionë dollarësh, një aktore të njohur kineze dhe miliarderin e kriptomonedhave Justin Sun.
Themeluesi i Tron ka ngritur një padi ndaj aktores Jing Tian dhe prindërve të saj, duke kërkuar rikthimin e 30 milionë juanëve, rreth 4.5 milionë dollarë, që sipas tij ua kishte dhënë si pajë në kuadër të martesës që çifti planifikonte të lidhte.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, Sun pretendon se shuma iu dorëzua familjes së aktores përpara martesës, por lidhja nuk shkoi deri në altar dhe marrëdhënia mes tyre përfi.
Historia mori një kthesë të pazakontë pasi miliarderi publikoi në rrjetin social X një rrëfim të gjatë për marrëdhënien e tij me Jing Tian. Në postim, të titulluar “E dashura ime Jing Tian”, ai pretendonte se kishte qenë i dashuruar me aktoren që prej kohës së universitetit dhe tregonte edhe disa detaje nga takimet e tyre.
Mes tyre, Sun përmendi edhe një kinema që kishte marrë me qira për të parë së bashku filmin “Zootopia 2”.
Në të njëjtin postim, ai tha se i kishte dhënë familjes së aktores 30 milionë juanë si pajë përpara martesës. Por në fund të rrëfimit shtoi se historia ishte e trilluar dhe se çdo ngjashmëri me persona apo ngjarje reale ishte rastësi.
Megjithatë, çështja nuk mbeti vetëm në rrjetet sociale.
Avokatja kineze Zhang Qihuai njoftoi më pas se një gjykatë kishte pranuar padinë e Sun ndaj Jing Tian dhe prindërve të saj, për rikthimin e shumës prej 30 milionë juanësh.
Aktorja reagoi përmes rrjeteve sociale, duke thënë se kishte pasur “gjykim të keq” për burrat, por duke këmbëngulur se nuk do ta shiste kurrë dashurinë e saj për para. Ajo deklaroi gjithashtu se kishte besim te ligji dhe se drejtësia do të triumfonte.
Nga ana tjetër, përmes avokatit të tij, Sun konfirmoi se padia ekziston dhe se bëhet fjalë për rikuperimin e shumës që ai pretendon se kishte paguar si pajë.
“Ne u takuam duke pasur parasysh martesën”, tha miliarderi.
Sipas versionit të tij, kur çifti po përgatitej për procedurat mjekësore për të pasur një fëmijë në Shtetet e Bashkuara, pala tjetër i kishte kërkuar 50 milionë dollarë. Sun pretendon se ai e refuzoi kërkesën dhe më pas komunikimi mes tyre u ndërpre.
“Fejesa nuk mund të vazhdonte më”, deklaroi ai.
Justin Sun është një nga emrat më të njohur në industrinë e kriptomonedhave dhe themeluesi i Tron. Ndërsa Jing Tian është një nga aktoret e njohura kineze që ka punuar edhe në Hollywood.
Ajo ka luajtur në filma si “The Great Wall”, përkrah Matt Damon, “Kong: Skull Island” dhe “Pacific Rim Uprising”.
Burimi: The Wall Street Journal

