Fluksi i lartë i pushuesve që po udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar ka sjellë trafik të rënduar edhe këtë të martë në Rrugën e Kombit, kryesisht në hyrje të Rrëshenit.
Vështirësitë në qarkullim janë krijuar në pikën ku përfn segmenti i autostrades dhe rruga ngushtohet, duke bërë që automjetet të lëvizin me shpejtësi të reduktuar. Në këtë pjesë, ku parakalimet janë të kufizuara, fluksi i automjeteve përqendrohet në një korsi dhe krijon ngarkesë të shtuar në drejtim të Milotit.
Sipas komunikimeve me Njësinë e Autostradave në Rrugën e Kombit, lëvizja e shtuar e mjeteve në drejtim të Milotit ka nisur që prej orës 06:00 të mëngjesit, ndërsa pas orës 08:00 intensiteti është rritur ndjeshëm. Pavarësisht trafikut të rënduar, qarkullimi vijon dhe nuk ka patur bllokim te rrugës. Për të shmangur krijimin e radhëve të gjata, grupet e Njësisë së Autostradave janë pozicionuar në pikën e ngushtimit, duke orientuar lëvizjen e automjeteve dhe monitoruar situatën.
Monitorimi po vijon përgjatë aksit deri në dalje të Milotit, me qëllim mbajtjen e qarkullimit sa më të rrjedhshëm dhe parandalimin e incidenteve apo aksidenteve të mundshme, në kushtet e fluksit të lartë të mjeteve. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet rruga e kombit

