Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, u ndal te protesta e banorëve të zonës së “Flamingove” dhe rëndësia e dialogut me qytetarët.
Rama theksoi se prania e vazhdueshme në territor është një nga mënyrat e duhura për të kuptuar nga afër shqetësimet e komuniteteve dhe për t’i dhënë politikës mundësinë të dëgjojë drejtpërdrejt qytetarët.
Ai deklaroi se ka ardhur koha që Partia Socialiste të intensifikojë komunikimin në çdo lagje dhe me çdo qytetar, duke nënvizuar se dialogu nuk duhet të kufizohet vetëm në periudhat elektorale. Kreu i qeverisë nënvizoi se mandati katërvjeçar nuk duhet të shihet si një mundësi për t’i dëgjuar qytetarët vetëm një herë në katër vite. Duke iu përgjigjur kritikave se banorët e “Flamingove” nuk janë dëgjuar dhe se tashmë është vonë për dialog, Rama tha se protesta është dëgjuar dhe se qeveria ka reflektuar për shqetësimet e tyre.
“Prania besnike provon se është një nga shtigjet e duhura për të ndjerë nga afër pulsin dhe ndjesinë e çdo komuniteti dhe për t’i dhënë politikës frymëmarrjen e domosdoshme, që ne duhet ta marrim gjithmonë në burim, sepse burimet këtu në Tiranë janë kundër nesh. Por ne kemi atë burim atje që nuk na ka lënë në baltë.
Ndaj ka ardhur koha e një pranie politike të shtrirë gjerësisht në territor. Ka ardhur radha jonë të flasim tani, pasi i kanë shkulur të gjithë gurët e bulevardit, i kanë hedhur sasitë e molotovëve që nuk ishin hedhur në 35 vite, por fjala jonë nuk është thënë akoma dhe tani është koha të flasim ne.
Ta flasim në çdo lagje, me çdo shqiptar që nuk i frikësohet dialogut dhe që nuk e ka harruar akoma atë që duan të na bëjnë të harrojmë: që baza e bashkëjetesës është liria për të folur, por edhe e drejta për t’u dëgjuar. Ky është më shumë se një mandat katërvjeçar. Nuk është një leje për t’i dëgjuar njerëzit një herë në katër vite. Aq më pak një e drejtë për të mos qenë tek njerëzit më shumë sesa çdo herë më parë. Sa më i fortë mandati, aq më të udhës bëhen dëgjimi i shpeshtë dhe gatishmëria.
Flitet për dialogun dhe ato gryka të errëta përsërisin papushim se Flamingot nuk u dëgjuan dhe se tani është vonë për dialog. Së pari, Flamingot ne i kemi dëgjuar dhe sot kemi fakte, jo vetëm reflektim. Sot kemi disa instrumente që nuk i kishim më parë dhe i krijuam sepse i dëgjuam ata, duke nisur me instrumentin e ndjekjes së hallit te ‘Pasqyra Albania’.
Ne nuk kemi qenë asnjëherë të pavëmendshëm ndaj tyre. Unë personalisht i kam dëgjuar më shumë, sepse të gjitha i kanë thënë poshtë dritares së zyrës sime. Natyrisht që unë i kam ndarë, sepse të ndara kanë qenë. Në atë protestë kishte nga të gjitha. Por që sorrat dhe korbat ishin pjesë, dhe që duart e huaja ishin pjesë, kjo është e qartë. Nuk ka qenë përqeshje dhe anatemim, por ndarje e së vërtetës.”, u shpreh Rama. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! -Politikë*KryesoreAktualitet Edi Rama

