Policia ka vënë në pranga një 38-vjeçar, i dyshuar si autori i zjarrit që përfshiu të enjten një magazinë në zonën e Shkozetit, në Durrës.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasi me inicialet A. N. kishte ndezur zjarr për të djegur disa barishte pranë magazinës së një subjekti privat. Flakët, megjithatë, dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë magazinën ku ndodheshin fishekzjarrë dhe lodra për fëmijë, çka shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse, zjarri u vu nën kontroll dhe u shmang përhapja e tij drejt banesave dhe objekteve përreth. Gjatë operacionit, dy zjarrfikës pësuan asfiksi nga tymi dhe u transportuan në spital për ndihmë mjekësore.
Për shkak të situatës së krijuar, qarkullimi i automjeteve u bllokua përkohësisht në disa segmente rrugore, ndërsa u ndërpre edhe furnizimi me energji elektrike. Një prej linjave u stakua për arsye sigurie, ndërsa pjesa tjetër e qytetit vijoi të furnizohej normalisht.
Policia njoftoi se ndaj 38-vjeçarit janë ndërmarrë veprimet procedurale dhe materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për vijimin e hetimeve.

