Një sipërmarrës 32-vjeçar në Kinë ka kthyer një nevojë të zakonshme në një biznes aspak të zakonshëm, duke u ofruar klientëve mundësinë të paguajnë për t’u “kruar” për një orë.
Sipas South China Morning Post (SCMP), Zhang Xiaoqiao ka hapur një biznes të quajtur Suma në Shenzhen, i cili tashmë ka dy pika. E para u hap në distriktin Baoan në muajin maj, ndërsa e dyta në distriktin Futian një muaj më vonë.
Shërbimi kushton rreth 300 juanë, ose afërsisht 40 dollarë për një seancë njëorëshe. Klientët shtrihen me fytyrë poshtë në shtretër të ngjashëm me ata të masazhit, ndërsa punonjëset përdorin thonj të posaçëm për t’u kruar zona të ndryshme të trupit, veçanërisht aty ku klienti ndien bezdi ose kruajtje.
Dy pikat e biznesit gjenerojnë së bashku rreth 100 mijë juanë, ose rreth 15 mijë dollarë në muaj në të ardhura bruto. Sipas Zhang, të dyja pikat kanë arritur tashmë pikën e barazimit të kostove dhe kanë nisur të gjenerojnë fitim.
Sipërmarrësi thotë se rreth 70% e klientëve janë burra, ndërsa shërbimi u ofrohet si meshkujve ashtu edhe femrave. Sipas tij, disa klientë e konsiderojnë përvojën më relaksuese se një masazh dhe janë rikthyer për seanca të tjera.
Ideja i lindi pasi pa në internet një video ku një grua kruante bashkëshortin e saj. Në komentet e videos, shumë persona shpreheshin se do të ishin të gatshëm të paguanin dikë për t’u ofruar të njëjtën përvojë.
Zhang, i cili është nga provinca Hubei, thotë se i ka zhvilluar vetë teknikat e këtij shërbimi, pasi nuk kishte një model të ngjashëm të konsoliduar në Kinë. Ai e lidh kërkesën për këtë shërbim edhe me stresin e lartë në qytetet e mëdha.
Tashmë, sipërmarrësi ka plane edhe më ambicioze. Ai synon të hapë 100 pika në të gjithë Kinën, duke e kthyer “kruarjen profesionale” në një profesion të njohur në nivel kombëtar.
Burimi: South China Morning Post

