Emisioni Fiks Fare zhvilloi një vëzhgim në disa prej plazheve më të frekuentuara të vendit për të verifikuar zbatimin e rregullave të sigurisë të përcaktuara në VKM nr. 649, datë 16.10.2024, e ndryshuar, e cila detyron subjektet që administrojnë stacionet e plazhit të kenë një pikë vrojtimi dhe një vrojtues plazhi për çdo 80 metra vijë bregdetare, si dhe pajisjet e domosdoshme të shpëtimit. Nga vëzhgimi rezultoi se, në shumicën e rasteve, kullat e vrojtimit ishin të vendosura sipas kërkesave të ligjit, por problemi kryesor ishte mungesa e vetë vrojtuesve në vendin e punës. Shpjegimi që Fiksi dëgjoi më shpesh ishte se vrojtuesit kishin shkuar të hanin drekë ose ndodheshin në lëvizje. Edhe në rastet kur vrojtuesit ishin të pranishëm, shpesh mungonin pajisjet bazë të shpëtimit, si çanta e ndihmës së parë, dylbitë apo bilbili. Ata u justifikuan se pajisjet ndodheshin brenda ambienteve të subjektit dhe jo në pikën e vrojtimit, siç kërkojnë standardet e sigurisë.
Durrësi, Golemi, Qerreti, Velipoja dhe Shëngjini
Në plazhin e Durrësit, pranë kanalit të ujërave kulluese, një administrator pranoi para kamerës se ende nuk kishte angazhuar vrojtues plazhi, megjithëse e pranoi se kjo përbën shkelje të rregullave. Ai u justifikua se pika e vrojtimit do të vendosej së shpejti. Në Golem, Fiksi gjeti disa pika vrojtimi pa vrojtues. Në një rast, në vend të vrojtuesit të licencuar ishte babai i tij, i cili tha se djali kishte shkuar t’i merrte ilaçe pasi ishte kafshuar nga një qen. Vetë ai pranoi se nuk ishte i licencuar për këtë detyrë.
Edhe në Qerret situata ishte e ngjashme. Vrojtuesit mungonin nga kullat dhe justifikimi ishte pothuajse gjithmonë i njëjtë: “Ka shkuar të hajë drekë”. Në Velipojë, përveç mungesës së vrojtuesve, Fiksi konstatoi edhe shkelje të distancës së detyrueshme mes vijës së bregut dhe çadrave, ndërsa pushuesit u ankuan për mungesën e kabinave të zhveshjes dhe koshave të mbeturinave. Në Shëngjin u gjet vetëm një vrojtues në detyrë, por pa pajisjet e domosdoshme të shpëtimit. Një tjetër vrojtues deklaroi se kontrolli për pajisjet është përgjegjësi e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, ndërsa një administrator tjetër pranoi se nuk kishte fare vrojtues të licencuar, duke argumentuar se është e vështirë të gjenden persona të kualifikuar. Reagimi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit
Përballë gjetjeve të Fiks Fare, Agjencia Kombëtare e Bregdetit deklaroi se monitorimet kanë nisur prej dy muajsh dhe se janë kryer qindra kontrolle në terren. Sipas Agjencisë, asnjë kontratë plazhi nuk rezulton pa vrojtues të punësuar dhe gjatë inspektimeve nuk është konstatuar mungesë e tyre në vendin e punës. Institucioni theksoi se vrojtuesi është i detyruar të jetë i pranishëm gjatë gjithë kohës që stacioni i plazhit është në funksion dhe se çdo shkelje e konstatuar nga grupet e inspektimit shoqërohet me masat përkatëse. Megjithatë, vëzhgimi i Fiks Fare në terren evidentoi një realitet tjetër, ku në shumë raste kullat e vrojtimit ishin bosh ose vrojtuesit mungonin, ndërsa pajisjet e shpëtimit nuk ndodheshin aty ku duhet të ishin, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi nivelin real të sigurisë për pushuesit gjatë sezonit veror. Top Channel

